BotaLajme

Burg i përjetshëm për kosovaren në Gjermani: E përvëloi vajzën e s’e dërgoi te mjeku, vdiq pas 12 ditësh

Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar atë te mjeku. Kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet

Pas vdekjes së vajzës së saj katërvjeçare, një 25-vjeçare është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me mosveprim, shkruan dpa.de. Gjykata e Landit në Verden (Saksonia e Ulët) e ka konstatuar të hënën si të provuar faktin se e akuzuara ka vepruar nga lakmia.

Në gusht të vitit 2022, ajo kishte larëqëllimisht të bijën në apartamentin e saj në Grasberg afër Bremenit me ujë aq të nxehtë sa fëmija pësoi djegie me rrezik për jetën, transmeton albinfo.ch. Meqenëse kishte supozuar se fëmija nuk kishte sigurim shëndetësor, ajo nuk e kishte trajtuar të bijën fare te mjeku.

Kishte vepruar kështu pasi kishte frikë se duhej të përballonte shpenzimet.

Kosovarja, e lindur në Gjermani, e ka trajtuar fëmijën “krejtësisht në mënyrë joadekuate”, duke e lyer me pomadë dhe fasha. Edhe pasi nëna e tre fëmijëve e kishte kuptuar se katërvjeçarja po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ajo “e kishte lënë atë në fatin e saj” dhe më në fund ka pranuar edhe mundësinë për vdekjen e saj.

Vajza ka vdekur dymbëdhjetë ditë pas përvëlimit. Në atë kohë, një e treta e lëkurës ishte e nxirë, ka thënë kryetari i trupit gjykues. Fëmija ka vuajtur në mënyrë “të pabesueshme”.

Gjatë gjykimit, e pandehura ka thënë se e ka kuptuar shumë vonë që uji ishte shumë i nxehtë. Gjithashtu ajo ka pretenduar se plagët janë shkaktuar nga vetë vajza, përcjell albinfo.ch. Gjykata nuk e beson këtë pretendim, sepse ashpërsia e plagëve duhet ta ketë bërë të qartë se çfarë mundimi ka pësuar fëmija.

Show More

Related Articles

Back to top button