Çmimi i naftës, i cili shitet me 1,895 euro për litër, është ulur në shumicën e pikave të benzinës përgjatë autostradave në Slloveni që nga e premtja, pasi qeveria hoqi dorë nga disa taksa për karburantet.
Sipas mediave, distributorët e tjerë do të përshtaten me këtë çmim të reduktuar në ditët në vijim.
Është një masë e përkohshme e qeverisë që, maksimum për dy muaj ka hequr dy taksa për karburantet, gjegjësisht taksën për kontributin për eficiencën e energjisë dhe për burimet e rinovueshme të energjisë.
Qeveria e miratoi masën pasi vendimi i saj i mëparshëm për liberalizimin e plotë të çmimeve të derivateve të naftës në stacionet e autostradave shkaktoi pakënaqësi të madhe, veçanërisht në mesin e transportuesve, dhe çoi në mungesa të herëpashershme të karburantit në pikat e karburanteve jashtë autostradave, ku çmimi i të gjitha karburanteve mbeti i rregulluar dhe më i ulët.
Çmimi i ri i reduktuar i naftës në pompat e autostradës vlen për të gjitha automjetet, jo vetëm për transportuesit apo konsumatorët vendas.
Qeveria e Robert Golob u bëri thirrje të gjithë shpërndarësve të karburanteve që të rregullojnë vetë marzhet e tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në uljen e çmimeve, ndërsa në të kundërt njoftoi se do të rishikojnë vendosjen e çmimeve maksimale për disa karburante.