Japonia ka protestuar ndaj Koresë së Jugut pasi kjo e fundit kreu stërvitje ushtarake në ishujt e diskutueshëm. Ministria e Jashtme e Japonisë tha se “është jashtëzakonisht për keqardhje” që Seuli kreu këto stërvitje.
Ministria e Jashtme japoneze ka thirrur në bisedë një diplomat të lartë të Ambasadës së Koresë së Jugut në Tokio, si dhe Ambasada japoneze në Seul po ashtu ka thirrur në takim një zyrtar të lartë jugkorean për të protestuar zyrtarisht për këto stërvitje.
“Takeshima padiskutim është territor i pandarë i Japonisë, sipas fakteve historike dhe bazuar në ligjin ndërkombëtar”, tha Ministria e Jashtme japoneze në deklaratën e lëshuar të premten.
“Stërvitjet e ushtrisë së Koresë së Jugut janë të papranueshme dhe jashtëzakonisht për keqardhje”.
Të dyja shtetet kanë mosmarrëveshje të kamotshme mbi sovranitetin e një grupi ishujsh të quajtur Takeshima në Japoni dhe Dokdo në Korenë e Jugut. Këta ishuj gjenden në mes të dy shteteve në Detin e Japonisë, që njihet edhe si Deti Lindor.
“Stërvitjet për mbrojtjen e territorit në Detin Lindor u kryen me qëllim që të përmbushnim misionin tonë për të mbrojtur territorin, njerëzit dhe pronën tonë”, tha një zyrtar ushtarak i Koresë së Jugut.
Ky zyrtar shtoi se ushtria e Koresë së Jugut kryen stërvitje çdo vit në këtë zonë.