BotaLajme

Erdogani hap rrugën për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Poker para samitit të NATO-s në Vilnius. Fillimisht presidenti turk deklaroi se Suedia do të anëtarësohet në NATO, vetëm nëse Turqia lejohet të anëtarësohet në BE. Por më vonë ndryshon mendje.

Në qendër të samitit të NATO-s janë ndihmat për Ukrainën dhe mbrojtja e krahut lindor të NATO-s. Por një ditë para fillimit të samitit presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, tërhoqi vëmendjen me deklaratën e tij mbi anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Autokrati i rizgjedhur Erdogan është ankuar vazhdimisht se Suedia nuk ekstradon terroristë të dyshuar kurdë dhe lejon tubime anti-islamike. Suedia nuk i ka plotësuar ende kushtet për anëtarësim në NATO, kritikoi Erdogani.

Erdogani vendos një kusht të ri: bisedimet për pranimin në BE

Rexhep Tajip Erdogan shkaktoi zemërim në radhët e NATO-s me një kërkesë të re. Ai tha se Suedia, që është anëtare e BE-së, mund të anëtarësohet në NATO, vetëm nëse në këmbim Turqia mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Negociatat e pranimit janë ngrirë de fakto nga BE-ja, sepse Turqia nuk i përmbush më kërkesat minimale të shtetit të së drejtës. Negociatat kanë nisur që nga viti 2005, por edhe presidenti turk Erdogan ka kohë që tregon vetëm pak interes për anëtarësimin e vendit të tij në BE.

Kritika nga parnerët e NATO-s

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, i kritikoi deklaratat e Erdoganit duke thënë se kushtet e reja të vëna në minutën e fundit nuk i ndihmojnë bisedimet për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe se në këtë mënyrë nuk mund të arrihet kurrë një përfundim. Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, e hodhi poshtë lidhjen mes pranimit të Turqisë në BE dhe pranimit të Suedisë në NATO. Njëra nuk ka lidhje me tjetrën, tha Scholz, sipas të cilit Suedia i ka plotësuar të gjitha kërkesat.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, dhe kryediplomati i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhën poshtë akuzat. Suedia i ka ndryshuar ligjet e saj, ka hequr embargon e armëve ndaj Turqisë, ka dëbuar aktivistët e parë të PKK-së dhe ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura një vit më parë në samitin e NATO-s në Madrid, ku Finlanda dhe Suedia u ftuan njëzëri për t’u bërë anëtare të NATO-s.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson vuri në dukje se në një shtet ku sundon ligji si Suedia nuk mund të ndalohen thjesht demonstratat kritike ndaj fesë islame, sepse ndryshe nga Turqia në Suedi ekziston liria e shprehjes.

Erdogani ndryshon mendje

Pas bisedimeve të ndërmjetësimit me Erdoganin dhe me kryeministrin suedez Ulf Kristersson në kryeqytetin lituanez, Vilnius, Erdogani premtoi se do t’i hapë rrugën Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. “Suedia do të bëhet anëtare e plotë e aleancës”, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sipas tij Erdogani u zotua se do të sigurojë ratifikimin e vendimit të pranimit të Suedisë nga parlamenti i vendit të tij.

Diplomatët e NATO-s njoftuan se edhe më parë ishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike midis Erdoganit dhe Presidentit të SHBA, Joe Biden, e cila mund të ketë sjellë një lloj lëvizje në çështjen e pranimit të Suedisë.

Turqia dëshiron të blejë avionë luftarakë F-16 nga fuqia kryesore e NATO-s, SHBA. Por Recep Tayyip Erdogan tha për mediat se nuk ka asnjë lidhje midis avionëve F-16 dhe Suedisë.

Pas Erdoganit dhe Orbani

Diplomatët e NATO-s mendojnë gjithashtu se tani që Turqia do të miratojë përfundimisht pranimin e Suedisë në NATO, do të dorëzohet edhe presidenti hungarez Viktor Orban, i cili me kushtet e tij dëshiron që Bashkimi Evropian të paguajë paratë e ndihmës që i ka ndërprerë Budapestit për shkak të disa mospajtimeve me Brukselin./DW

Show More

Related Articles

Back to top button