BotaLajme

Foto familjare/ Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s gati për nisjen e samitit në Vilnius

Ashtu siç është zakon, para nisjes së çdo samiti bëhet edhe fotoja familjare. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe në samitin e NATO-s që po mbahet në Vilnius të Lituanisë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, ku bënë pjesë edhe Shqipëria kanë dalë në një fotografi të përbashkët, para nisjes së samitit të aleancës ushtarake.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se do të propozojë që procedura e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, të thjeshtëzohet.

Stoltenberg i bëri komentet në fillim të samitit të NATO-s, i cili zhvillon punimet të martën dhe të mërkurën në Vilnius të Lituanisë.

Ai tha se do t’u propozojë aleatëve që t’i mundësojnë Ukrainës kapërcimin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t’i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.

“Po bëhet gjithçka për ta afruar Ukrainën më pranë anëtarësimit në NATO”, tha Stoltenberg.

“Disa aleatë, gjithashtu, po zhvillojnë dialog dypalësh ose shumëpalësh me Ukrainën, për një kornizë që do t’i siguronte mbështetje të vazhdueshme”, shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se pajtohet me terminologjinë që ka përdorur Stoltenberg për të ardhmen e Ukrainës në NATO.

Ukraina, e cila ndodhet nën pushtimin rus qysh më 24 shkurt të vitit të kaluar, kërkon të bëhet pjesë e NATO-s, por përderisa lufta vazhdon, e ardhmja e kësaj ambicieje nuk është e qartë.

Samiti i organizatës më të madhe ushtarake në botë zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

Udhëheqësit e NATO-s pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim, ashtu si edhe pranimi i Suedisë në aleancë.

Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.

Këtë e ka konfirmuar më herët Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon.

Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare.

Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa ato perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, janë më të kujdesshme sa u përket veprimeve që do të mund ta sillnin aleancën më afër luftës me Rusinë.

Përveç perspektivës së anëtarësimit, liderët e NATO-s pritet gjithashtu të zotohen për ndihmë të vazhdueshme ushtarake dhe financiare për Kievin.

“Kam besim se do të marrim një vendim të fuqishëm dhe të bashkuar për Ukrainën, si për ta vazhduar mbështetjen për të, ashtu edhe për ta rritur atë. Jam gjithashtu i bindur se për çështjen e anëtarësimit, aleatët do të ripohojnë se Ukraina do të bëhet anëtare”, tha Stoltenberg në prag të takimit./REL

Show More

Related Articles

Back to top button