Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë në takimin joformal në Tiranë, të ftuar nga kryeministri, Edi Rama.
Liderët e rajonit së bashku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në mesditën e të hënës, në takimin joformal, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, sipas burimeve të RTSH-së, Kosova do të përfaqësohet nga një zëvendëskryeministër.
Kryeministri Kurti, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.
Aty theksohet se kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.
Përndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pak ditë më parë kishte një vizitë në të gjitha vendet e rajonit, qëllimi i këtij takimi është për të diskutuar për planin e ri dhe për të ndërtuar së bashku një qëndrim për procesin e Berlinit.
“Në tetor Shqipëria pret për herë të parë që kur në 2014-tën Angela Merkel hapi procesin, Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë dhe është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian. Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën,” – u shpreh Rama duke iu referuar kështu kryetarëve të komunave në Veri që po qëndrojnë prej tensioneve të krijuara atje me Serbinë..
Rama nuk është pritur vetëm nga kryeministri Kurti, për shkak të anulimit të mbledhjes së përbashkët të paraparë të mbahet në Gjakovë. Kurti ka thënë se me Ramën takohet vetëm në një mbledhje të dy qeverive shqiptare.
Por çfarë është Procesi i Berlinit
Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.
E prezantuar me 28 gusht nga kancelarja Anglea Merkel, Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare, bazuar në miratimin e akuis komunitar, apo tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.