BotaLajme

Arabia Saudite blen dronë “Bayraktar” gjatë vizitës së Erdoganit

Arabia Saudite ra dakord të martën për të blerë dronët e Turqisë, në atë që cilësohet si kontrata më e madhe e mbrojtjes në historinë e Turqisë.

Ky zhvillim vjen pasi përpjekjet diplomatike të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për të rivendosur lidhjet me fuqitë e Gjirit Persik dhe për të gjetur mbështetje për ekonominë e Turqisë, kanë rezultuar të frytshme.

Sipas agjencisë shtetërore saudite të lajmeve SPA, Erdogani dhe princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit midis firmës turke të mbrojtjes “Baykar” dhe ministrisë saudite të Mbrojtjes.

Erdogani nisi një turne në Gjirin Persik, duke filluar me qytetin saudit të Detit të Kuq, Xheddah, të hënën.

Në një postim në Twitter të martën, ministri saudit i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman deklaroi se blerja e dronëve synon të rrisë gatishmërinë e forcave të armatosura të mbretërisë dhe të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe prodhuese.

Edhe pse agjencia shtetërore saudite e lajmeve SPA nuk bëri të ditur detaje specifike në lidhje me vlerën e marrëveshjes, Haluk Bayraktar, pronari i kompanisë “Baykar”, deklaroi se ajo është kontrata më e madhe e eksportit të mbrojtjes dhe aviacionit në historinë e Turqisë.

Në një postim në Twitter, ai njoftoi se ata kanë nënshkruar një kontratë me ministrinë e Mbrojtjes të Arabisë Saudite për eksportin e dronit luftarak pa pilot Bayraktar Akinci.

Që nga viti 2021, investimet dhe mbështetja financiare nga rajoni i Gjirit Persik kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lehtësimin e presionit mbi ekonominë dhe rezervat valutore të Turqisë.

Ky zhvillim pozitiv përkoi me përpjekjet diplomatike të Ankarasë për të përmirësuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Që nga viti 2021, kur Ankaraja shtoi përpjekjet e saj diplomatike për të përmirësuar raportet me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, investimet dhe mbështetja financiare nga rajoni i Gjirit Persik kanë luajtur rol të rëndësishëm në lehtësimin e presionit të Turqisë mbi ekonominë dhe rezervat e saj valutore.

Raportet e Turqisë me këto shtete kanë qenë të përçara për shkak të mbështetjes së Ankarasë zyrtare ndaj lëvizjeve pro-demokratike në Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore, si dhe për shkak të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, në vitin 2018.

Si pjesë e turneut të tij të parë në Gjirin Persik që nga rizgjedhja e tij në maj, Erdogani do të udhëtojë edhe në Katar të martën. Më pas ai vazhdon vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën. /REL

Show More

Related Articles

Back to top button