BotaLajme

Kievi dhe Odesa goditen nga sulmet ajrore ruse për të dytën natë me radhë

Rusia nisi një sulm masiv ajror në portin ukrainas të Odesës për të dytën natë me radhë, sulm të cilin një zyrtar ukrainas e përshkroi si “ferr”. Autoritetet ukrainase, megjithatë, u zotuan se do të vazhdojnë punën për eksportin e drithërave.

Sulmi ishte “shumë i fuqishëm, me të vërtetë masiv”, tha Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake të Odesës, përmes një mesazhi në kanalin e tij në Telegram të mërkurën.

“Ishte një natë si në ferr”, tha ai, duke shtuar se detajet për dëmet dhe viktimat do të vijnë më vonë.

Pas shpërthimit në një urë që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, për të cilin Moska e fajësoi Ukrainën, Rusia u zotua për hakmarrje dhe nisi sulmet në Odesa.

Odesa është porti më i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës.Pak kohë pas incidentit të urës, Moska u tërhoq nga marrëveshja e drithërave të Detit të Zi që kishte lehtësuar eksportin e sigurt të grurit të Ukrainës për një vit. Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin se ky veprim rrezikon të krijojë uri në mbarë botën.

“(Ata) po përpiqen të trembin të gjithë botën, veçanërisht ata që duan të punojnë për korridorin e grurit…Ukrainën, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara”, tha Bratchuk.

Pjesa më e madhe e Ukrainës ushtonte nga alarmet për sulme ajrore, duke filluar menjëherë pas mesnatës të së mërkurës, me Rusinë që goditi edhe qytete tjera, duke përfshirë një sulm me dronë në Kiev.

“Ishte një natë e vështirë nga sulmet ajrore për të gjithë Ukrainën, veçanërisht në jug, në Odesa”, tha Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, në Telegram.

Ura e cila e lidh Rusinë me Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar nga Moska më 2014.
Ai tha se Kievi u sulmua dhe sipas informacioneve paraprake ka dëme dhe mund të ketë viktima.

Rusia nuk i ka komentuar sulmet, por blogerët ushtarakë pro-Kremlinit thanë se Moska ka përdorur një kombinim të raketave dhe dronëve për të sulmuar Odesën dhe rajonet tjera.

Agjencia e lajmeve RBC-Ukraine raportoi se një sulm ndodhi edhe në gadishullin e Krimesë, me shpërthime që u dëgjuan në terrenet e stërvitjes ushtarake në distriktin Kirovske.

Zjarri që shpërtheu nga ky sulm pranë një baze ushtarake të stërvitjeve në distriktin Kirovske në gadishullin e Krimesë ka detyruar evakuimin e mbi 2,000 njerëzve dhe mbylljen e autostradës aty pranë, tha të mërkurën guvernatori i Krimesë i cili mbështetet nga Rusia, Sergei Aksyonov.

“Është planifikuar të evakuohen përkohësisht banorët e katër vendbanimeve, më shumë se 2,000 njerëz”, tha Aksyonov në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Ai nuk dha informacione se për çfarë arsyesh u shkaktua zjarri, i cili detyroi gjithashtu mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore Tavridy.

Kanalet e Telegramit të Rusisë të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë dhe mediat ukrainase raportuan se një depo municioni ishte duke u djegur pas një sulmi ajror ukrainas gjatë natës.

Moska e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014./rel

Show More

Related Articles

Back to top button