BotaLajme

Rusia nuk i ndal sulmet në Odesa, digjen 60 mijë tonë grurë

Rusia nuk i ndal sulmet ajrore në drejtim të Odesës, në jug të Ukrainës. Për të tretën natë radhazi, janë lëshuar dronë dhe raketa balistike nga Deti i Zi në drejtim të qytetit port, në bombardimin më të rëndë të ditëve të fundit.

Sulme ajrore janë raportuar edhe në Mykolaiv, jo shumë larg Odesës. Në këto zhvillime të luftës mësohet se një civil ka humbur jetën, 20 të tjerë mbetën të plagosur, mes të cilëve dhe 5 fëmijë. Autoritetet lokale dhe qëndrore të Ukrainës akuzojnë ushtrinë ruse se me këtë veprim po kërkojnë të arrijnë shkatërrimin e plotë të infrastrukturës portuale në Detin e Zi.

Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës, u shpreh: “Ky sulm terrorist provon se shënjestra e tyre nuk është vetëm Ukraina, apo jetët e njerëzve tanë. Në portet që ata sulmuan, ishte magazinuar rreth 1 milionë ton ushqim. Është saktësisht sasia që duhej dorëzuar tek vendet konsumatore në Afrikë dhe Azi”.
Më herët, pas një sulmi raketor dhe me dron të Rusisë, zyrtarët ukrainas pohuan se janë shkatërruar 60 mijë ton grurë, të magazinuar në portin e Odesës. Moska paralajmëron të gjitha anijet që lundrojnë në Detin e Zi drejt porteve ukrainase se do të konsiderohen të dyshimta dhe me ngarkesa ushtarake. Shtetet e atyre mjeteve lundruese do të konsiderohen të përfshira në luftë si aleatë të Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sërish Perëndimin se po përfiton paturpësisht nga marrëveshja për grurin, ndërsa ofroi një opsion për bukën e botës.

“Dua t’ju siguroj se vendi ynë është në gjendje të zëvendësojë grurin ukrainas si në bazë tregtare, ashtu edhe në baza bamirëse. Për më tepër, ne presim një korrje rekord këtë vit siç sapo ka raportuar ministri i Bujqësisë. Duke përmbledhur aspektet që sapo përmenda, vazhdimi i marrëveshjes së drithit në formën në të cilën ekzistonte, ka humbur çdo kuptim”, tha Putin.
Ndërkohë, nga ana tjetër janë raportuar sërish sulme me dronë në Krimenë e aneksuar. Zyrtarët e vendosur nga Moska njoftuan se një adoleshente mbeti e vrarë dhe se janë dëmtuar 4 zyra administrative në verilindje të gadishullit.

Show More

Related Articles

Back to top button