BotaLajme

Nënkryetari i Komisionit Evropian dëshiron të bëhet kryeministri i ri i Holandës

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, tha sot se është kandidati për bartës së listës së Socialdemokratëve dhe të Gjelbërve në zgjedhjet e parakohshme holandeze në vjeshtë, dhe shpreson të largohet nga Brukseli dhe të bëhet kryeministër i Holandës.

Kështu, Frans Timmermans (62) shpreson të zëvendësojë Mark Rutte, kryeministrin në largim, i cili mbajti postin për 13 vjet, më i gjati në historinë e vendit dhe njoftoi tërheqjen e tij nga politika pas zgjedhjeve, transmeton Telegrafi.

“Dua të jem kryeministër”, i tha Timmermans transmetuesit publik holandez NOS.

Holandezi i cili aktualisht është në krye të Planit të Gjelbër të BE-së, ka informuar presidenten Ursula von der Leyen për largimin e tij të afërt, shkruan e përditshmja holandeze e qendrës së majtë Volkskrant.

Timmermans ndihmoi partinë socialdemokrate holandeze PvdA për një fitore të papritur në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, edhe pse sondazhet parashikonin një fitore populiste.

Në fillim të javës, anëtarët e PvdA dhe GroenLinks votuan në masë të madhe për një koalicion me program dhe listë të përbashkët, që është rasti i parë i tillë në zgjedhjet parlamentare holandeze. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button