Hakerët dhe propagandistët po e përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar malware, për të hartuar email-e bindëse phishing dhe për të shpërndarë dezinformata në internet, ka deklaruar për Reuters zyrtari më i lartë kanadez për siguri kibernetike, një provë e hershme kjo që tregon se revolucioni teknologjik që ka përfshirë Silicon Valley-n, është marrë në shfrytëzim edhe nga kriminelët kibernetikë.
Në një intervistë të bërë gjatë kësaj jave, Sami Khoury, kreu i Qendrës Kanadeze për Siguri Kibernetike, tha se agjencia e tij ka parë se inteligjenca artificiale po përdoret “në email-e phishing, ose në hartimin e email-eve në një mënyrë më të fokusuar, në kode malware e gjithashtu në keqinformim dhe dezinformim”.
Khoury nuk dha detaje ose prova, por pohimi i tij se kriminelët kibernetikë veçse ishin duke përdorur inteligjencën artificiale, shton një urgjencë mbi shqetësimet e mëdha mbi përdorimin e teknologjisë në rritje nga keqbërësit, përcjell Telegrafi.
Në muajt e fundit, disa monitorues të sigurisë kibernetike kanë publikuar raportime paralajmëruese mbi rreziqet hipotetike të inteligjencës artificiale – veçanërisht programet e përpunimit të gjuhës me avancim të shpejtë të njohur si modele të mëdha gjuhësore (LLM), të cilat bazohen në vëllime të mëdha të tekstit për të hartuar dialogë dhe dokumente që tingëllojnë shumë bindëse.
Në mars, organizata evropiane e policisë, Europol, publikoi një raport ku thuhej se modele sikurse ChatGPT-ja e OpenAI e kishte bërë të mundshëm “imitimin e një organizate apo individi në një mënyrë shumë reale me vetëm një zotërim bazë të gjuhës angleze”.
Në po të njëjtin muaj, Qendra Kombëtare e Britanisë për Siguri Kibernetike, nëpërmjet një blog-u tha se ekzistonte një rrezik që kriminelët “mund të përdorin LLM-të për të ndihmuar me sulme kibernetike përtej kapaciteteve të tyre aktuale”.