LajmeMaqedoni

ASH-ja, Lëvizja Besa dhe Alternativa kërkojnë heqjen e 20 përqindshit

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe, e cila njihet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë.

Aleanca për Shqiptarët që është pjesë e Qeverisë, Lëvizja Besa dhe Alternativa që janë në opozitë, thanë se Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë moment dhe të “përmirësojë padrejtësinë që i bëhet gjuhës shqipe”, e cila është e përkufizuar me “terminologji fyese”.

“Unë, si shqiptar i Maqedonisë së Veriut nuk do të kërkoja asgjë më shumë nga bashkëqytetarët e mi maqedonas përpos asaj që unë po e bëj në mbrojtje dhe konsolidim të identitetit dhe gjuhës maqedonase, po të njëjtën ata ta bëjnë për gjuhën shqipe”, theksoi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Afrim Gashi nga partia Alternativa tha se integrimi në BE do të kishte kuptim vetëm nëse në këtë union të gjitha entitetet hyjnë të barabartë duke respektuar gjuhën dhe veçoritë e njëri-tjetrit.

“Kujt nga ju i pengon togfjalëshi ‘gjuha shqipe’? A ka dikush që e urren gjuhën shqipe? E pse atëherë nuk e keni përfshirë edhe atë në këtë propozim-ndryshim? A është gjuha shqipe më pak e rëndësishme se integrimi?”, u shpreh deputeti Afrim Gashi.

Ndërkohë, thirrje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese ka pasur në vazhdimësi nga përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së. Ata kanë thënë se ndryshime janë domosdoshmëri pasi garantojnë të ardhme evropiane jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe forcojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Show More

Related Articles

Back to top button