BotaLajme

Situata e rrezikshme me zjarret, mbi 40 persona të vdekur në Mesdhe

Greqia po përgatitet që të organizojë edhe më shumë fluturime për evakuim të njerëzve nga Rodosi, pasi zjarret po shpërthejnë edhe në ishujt e Korfuzit dhe Evias.

Vala e gjatë aktuale e të nxehtit nuk duket se do të ndalet pasi që temperaturat pritet të rriten mbi 44 gradë Celsius në disa pjesë të Greqisë.

Zjarre masive u përhapen në Sicili dhe e detyruan Italinë ta mbyllë për pak kohë aeroportin e Palermos. Erërat e forta dhe bimësia e thatë bëjnë që zjarrfikësit të përpiqen në shumë zona për t’i shuar flakët.

Numri më i madh i vdekjeve deri më tani është në Algjeri, ku në mesin e 34 viktimave ishin edhe dhjetë ushtarë të rrethuar nga flakët gjatë një evakuimi në provincën bregdetare të Bejaia, në lindje të Algjerit. Bejaia është zona më e goditur nga zjarret, me 23 të vdekur, raportojnë mediat lokale.

Autoritetet algjeriane thanë se 80 për qind e zjarreve ishin shuar që nga e diela, por një përpjekje masive për shuarjen e zjarrit po vazhdon ende, me rreth 8.000 persona, qindra kamionë zjarrfikës dhe disa avionë.

Zjarret kanë shpërthyer edhe në Tunizinë fqinje, ku 300 persona u desh të evakuoheshin nga fshati bregdetar Melloula.

Në Greqi, Ministria e Mbrojtjes Civile paralajmëroi të mërkurën për një “rrezik ekstrem” zjarri në gjashtë nga 13 rajonet e vendit.

Sektori i turizmit punëson një në çdo pesë punëtor në Greqi dhe industria është jetike për Rodosin dhe shumë ishuj të tjerë grekë.

Në ishullin Evia, në veri të Athinës, dy pilotë vdiqën kur avioni i tyre zjarrfikës Canadair u rrëzua në një luginë. Diku tjetër në ishull, trupi i djegur i një burri u gjet në një kasolle të largët rurale.

Mijëra njerëz janë evakuuar gjithashtu në Evia dhe Korfuz, ndërsa Kreta – një tjetër destinacion kryesor pushimesh – është vënë në gatishmëri të lartë.

Italia është goditur nga kushte ekstreme të motit, me stuhi në veri dhe zjarre në Sicili dhe disa rajone të tjera jugore.

“Ne po përjetojmë në Itali një nga ditët më të komplikuara në dekadat e fundit – stuhi shiu, tornado dhe breshër gjigant në veri, si dhe vapë përvëluese dhe zjarre shkatërruese në qendër dhe jug”, tha ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci./BBC

Show More

Related Articles

Back to top button