Ish presidenti Donald Trump u deklarua i pafajshëm të enjten nën akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatet e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke iu përgjigjur për herë të parë akuzave federale që e akuzojnë atë për orkestrimin e një përpjekjeje të turpshme dhe përfundimisht të dështuar për të bllokuar transferimin paqësor të pushtetit presidencial.
Trump u paraqit para një gjyqtareje të magjistraturës në gjykatën federale të Uashingtonit dy ditë pasi u padit për katër vepra penale nga Prokurori i Posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith. Ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur vullnetin e votuesve dhe për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje në ditët para 6 janarit 2021, kur mbështetësit sulmuan Kapitolin në një përplasje të dhunshme dhe të përgjakshme me forcat e rendit.
Trump, kandidati kryesor për zgjedhjet presidenciale republikane për vitin 2024, po përballet me akuza, duke përfshirë komplotin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe për të penguar certifikimin në Kongres të fitores së demokratit Joe Biden.
Trump ka thënë se është i pafajshëm dhe ekipi i tij ligjor e ka karakterizuar rastin e fundit si një sulm ndaj të drejtës së tij për lirinë e fjalës. Çështja është pjesë e një përshkallëzimi të vazhdueshëm të problemeve ligjore për ish-presidentin, që vjen gati dy muaj pasi ai u deklarua i pafajshëm për dhjetëra akuza për krime federale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara dhe pengimin e përpjekjeve të qeverisë për t’i marrë ato.
Në atë që është bërë një ritual i njohur, por gjithsesi mahnitës, kandidati kryesor për të marr nominimin presidencial republikan në vitin 2024 u kontrollua nga forcat e rendit dhe deklaroi pafajësinë përpara gjykatëses federale. Më pas ai u la i lirë ndërsa çështja vazhdon, duke i mundësuar t’i bashkohet sërish fushatës ndërsa kërkon të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Trump Indictment Capitol Riot
Është çështja e tretë penale e ngritur kundër Trump këtë vit, por e para që përpiqet ta mbajë atë penalisht përgjegjës për përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet në javët midis humbjes së tij në zgjedhje dhe sulmit në Kapitol që mahniti botën ndërsa u shpalos drejtpërdrejt në televizion. Zoti Trump ka thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe ka akuzuar Prokurorin e Posaçëm Jack Smith se po përpiqet të pengojë shanset e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Ish presidenti Trump mbërriti në Uashington rreth orës 15:00 pasi fluturoi nga Nju Xhersi me avion privat. Autokolona e tij kaloi nëpër rrugët e mbushura me njerëz të kryeqytetit amerikan duke përdorur drita dhe sirena – një udhëtim i dokumentuar edhe një herë nga të gjitha rrjetet kabllore.
Një aktakuzë të martën nga prokurori Smith e akuzon Trump me katër akuza për krime të lidhura me përpjekjet e tij për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale në prag të trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol, duke përfshirë konspiracion për të mashtruar qeverinë amerikane dhe komplot për të penguar një procedurë zyrtare. Akuzat mund të çojnë në një dënim me vite burg në rast të një dënimi.
Vetë prokurori Smith ishte në sallën e gjyqit dhe u ul në rreshtin e parë pas prokurorëve që trajtonin çështjen.
Tre oficerë policie që mbronin Kapitolin atë ditë u panë duke hyrë në gjykatë. Njëri prej tyre, Harry Dunn, tha në një deklaratë se “gjithçka që kam kërkuar që nga dita e parë është përgjegjësia dhe drejtësia për burrat dhe gratë e zbatimit të ligjit që luftuan me guxim më 6 janar”.
“Do të gënjeja nëse nuk do ta pranoja habinë time me lajmin e aktakuzës sot të një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara,” shtoi ai. “Unë jam i bindur se sistemi ynë ligjor do ta trajtojë këtë çështje siç duhet”.
Ish-presidenti republikan ishte i vetmi person i akuzuar në këtë rast, megjithëse prokurorët iu referuan gjashtë bashkëpunëtorëve të paidentifikuar, kryesisht avokatë, që ata thonë se komplotuan me të, përfshirë në një skemë për të regjistruar elektorë të rremë në shtatë shtete të fushëbetejës të fituara nga demokrati Joe Biden për të paraqitur certifikata të rreme për qeverinë federale.
Aktakuza tregon se si Trump dhe aleatët e tij republikanë, në atë që Smith e quan një sulm ndaj “funksionimit themelor të qeverisë amerikane”, gënjyen në mënyrë të përsëritur për rezultatet në dy muajt pasi humbi zgjedhjet dhe i bënë presion nënpresidentit të tij, Mike Pence, dhe zyrtarëve të zgjedhjeve shtetërore të ndërmerrnin veprime për ta ndihmuar atë të qëndronte në pushtet.
Kjo është çështja e tretë penale e ngritur kundër ish presidentit Trump në më pak se gjashtë muaj.
Ai u akuzua në Nju Jork për falsifikimin e të dhënave të biznesit në lidhje me një pagesë të fshehtë ndaj një aktoreje pornografike gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Zyra e prokurorit Smith gjithashtu e ka akuzuar atë për 40 akuza për krime në Florida, për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Palm Beach, Mar-a-Lago, dhe refuzimin e kërkesave të qeverisë për t’i kthyer ato. Ai është deklaruar i pafajshëm në të dyja rastet, të cilat do të gjykohen vitin e ardhshëm.
Dhe prokurorët në kontenë Fulton të shtetit Xhorxhia, pritet që në javët e ardhshme të shpallin vendimet e akuzës në një hetim mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve në atë shtet.
Avokati i Trump, John Lauro ka pohuar në intervista televizive se veprimet e Trump mbrohen nga e drejta e Amendamentit të Parë për fjalën e lirë dhe se ai u mbështet në këshillat e avokatëve. Zoti Trump ka pohuar pa prova se ekipi i prokurorit Smith po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Prokurori Smith tha në një deklaratë të rrallë publike këtë javë se ai po kërkonte një gjykim të shpejtë, megjithëse zoti Lauro ka thënë se synon të ngadalësojë çështjen në mënyrë që ekipi i mbrojtjes të mund të kryejë hetimin e tij.
Gjyqi u kryesuan nga gjykatësja e magjistraturës amerikane Moxila Upadyaha, e cila u caktua në këtë pozitë vitin e kaluar. Por në vijim, çështja do të kryesohet nga gjykatësja e qarkut amerikan, Tanya Chutkan, një e emëruar e Presidentit Barack Obama, e cila është spikatur si një nga ndëshkuesit më të ashpër të sulmuesve të Kapitolit.