LajmeRajon

Politologu serb mbështet Kurtin në ‘përballjen’ e tij me Vuçiqin, zbardh prapaskenat e planeve të Rusisë në Kosovë dhe rajon

Intervistë ekskluzive me politologun dhe gazetarin serb, Boris Varga për gazetën Bota Sot.

Raportet Kosovë-Serbi tash e një kohë kanë qenë në një pikë të lartë të tensionimit.

Kjo ka bërë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) t’i rrisin përpjekjet e tyre për arritjen e një marrëveshjeje dhe zgjidhjen e konfliktit mes dy shtetve

E në lidhje me zhvillimet e fundit në veri dhe raportet Kosovë-Serbi, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli politikologu dhe gazetari serb, Boris Varga.

Së pari, ai vlerësoi se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar dhe janë në nivel me ato që ishin para vitit 2013.

Madje, Varga, potencoi se lufta e Rusisë në Ukrainë i ka hapur “rrugë” Vuçiqit për të mos pranuar një marrëveshje finale me Prishtinën.

Sipas tij, lufta në Ukrainë ndikon në mënyrë plotësuese në natyrën dhe dinamikën e Marrëveshjes së Ohrit, sepse e gjithë vëmendja është e përqendruar në luftën në Evropë.

Krahas kësaj, politologu serb si problem tjetër e konsideron edhe ndikimin rus në Ballkan, pasi tha se ehde nëse Beogradi heq dorë nga bllokimi i shtetësisë së Kosovës, Rusia mund ta bëjë këtë gjë.

Sa i përket, kritikave të Perëndimit ndaj Kurtit, Varga deklaroi se nuk janë të drejta, derisa potencoi se në këtë mënyrë po i japin mundësi Vuçiqit që më tej ta tensionoi situatën.

Raportet Kosovë-Serbi tash e një kohë kanë qenë në një pikë të lartë të tensionimit.

Kjo ka bërë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) t’i rrisin përpjekjet e tyre për arritjen e një marrëveshjeje dhe zgjidhjen e konfliktit mes dy shtetve

E në lidhje me zhvillimet e fundit në veri dhe raportet Kosovë-Serbi, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli politikologu dhe gazetari serb, Boris Varga.

Së pari, ai vlerësoi se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar dhe janë në nivel me ato që ishin para vitit 2013.

Madje, Varga, potencoi se lufta e Rusisë në Ukrainë i ka hapur “rrugë” Vuçiqit për të mos pranuar një marrëveshje finale me Prishtinën.

Sipas tij, lufta në Ukrainë ndikon në mënyrë plotësuese në natyrën dhe dinamikën e Marrëveshjes së Ohrit, sepse e gjithë vëmendja është e përqendruar në luftën në Evropë.

Krahas kësaj, politologu serb si problem tjetër e konsideron edhe ndikimin rus në Ballkan, pasi tha se ehde nëse Beogradi heq dorë nga bllokimi i shtetësisë së Kosovës, Rusia mund ta bëjë këtë gjë.

Sa i përket, kritikave të Perëndimit ndaj Kurtit, Varga deklaroi se nuk janë të drejta, derisa potencoi se në këtë mënyrë po i japin mundësi Vuçiqit që më tej ta tensionoi situatën.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni raportet aktuale Kosovë-Serbi?

Boris Varga: Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë rënë në nivelin para Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kështu që marrëdhëniet janë përkeqësuar dhe duken si para vitit 2013. Lufta në Ukrainë, për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bë një mundësi që të përpiqet të vonojë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Putinofilia e tërbuar në Serbi, të cilën gjatë vitit të shkuar e krijoi në mënyrë të padukshme qeveria, ishte një mbulesë për justifikimin se nuk është koha për të zgjidhur çështjen e Kosovës, por për disponimin prorus në Serbi. Dhe, ndjenjat pro-ruse dhe anti-evropiane i nxiti vetë pushteti serb. Aleksandar Vuçiq dhe trashëgimtari i Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq, para dhjetë vjetësh morën mbështetjen e Perëndimit dhe morën përsipër të normalizojnë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, por ata këtë nuk deshën sinqerisht ta bëjnë këtë. Nga njëra anë, në Serbi ekziston një ideologji dominuese dhe ajo është nacionalizmi. Nacionalizmi serb ushqehet me mitin e Kosovës serbe. Nga ana tjetër, Kosova është kanali më i madh kriminal për çdo pushtet serb – nga vjedhja e zgjedhjeve deri te bizneset korruptive. Dhe, sigurisht më kryesorja – Kosova është arsyeja pse vendet demokratike dhe perëndimore tolerojnë gjatë kohë tendencat autokratike të Serbisë. Perëndimi dëshiron që çështja e Kosovës të zgjidhet përgjithmonë dhe që pas tri dekadash të përfundojë procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë, ndaj po i mbyll një sy para kolapsit të institucioneve në Serbi. Përderisa Serbia dëshiron ta kthejë Kosovën, ajo nuk mund të jetë anëtare e BE-së, ajo nuk ka për të qenë as shtet demokratik. Tregues i tranzicionit të Serbisë do të jetë ndryshimi i qëndrimit ndaj Kosovës dhe një gjë e tillë ende nuk po shihet në horizont.

Gazeta “Bota sot”: Muaj më parë, në Ohër u arrit një marrëveshje mes dy shteteve, përkatësish e pranuan propozimin franko-gjerman por që i njëjti nuk ka nisur ende të zbatohet. Si e vlerësoni këtë?

Boris Varga: Marrëveshja e Ohrit nuk është as gjallë e as e vdekur. Ajo ka nevojë për vullnet politik për t’u zbatuar. Ndonëse Prishtina dhe Beogradi formalisht dhe deklarativisht shprehin gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, ai në thelb nuk ekziston. Situata është në nivelin ultimativ dhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë bërë temë bosht e politikës ditore, kështu që as Kurti dhe as Vuçiqi nuk janë të gatshëm që palës tjetër t’i bëjnë çfarëdo koncesioni dhe të shfaqen të dobët para votuesve të tyre. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe ndërmjetësit perëndimorë, se asnjëra palë nuk dëshiron të tregohet si humbëse. Lufta në Ukrainë ndikon në mënyrë plotësuese në natyrën dhe dinamikën e Marrëveshjes së Ohrit, sepse e gjithë vëmendja është e përqendruar në luftën në Evropë. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, më e rëndësishme është që në Ballkanin Perëndimor të mos ketë konflikt dhe të mos derdhet gjak njeriu. Në veri të Kosovës, pranverën e këtij viti shpërtheu konflikti me NATO-n dhe aty u kalua vija e kuqe dhe kufiri i tolerancës. Ky është edhe fundi i besimit të Perëndimit ndaj Vuçiqit, sepse pas plagosjes së dhjetëra ushtarëve, presidentin e Serbisë e konsiderojnë jo si pjesë të zgjidhjes, por si pjesë të problemit.

Gazeta “Bota sot”: A po e shkel Serbia këtë marrëveshje me kundërshtimet dhe pengesat që po ia bën Kosovës në organizatat ndërkombëtare?

Boris Varga: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë pas takimit në Ohër deklaroi se nuk ka nënshkruar asgjë, duke dërguar mesazh se nuk e obligon ajo që është rënë dakord atje. Me ndihmën e Rusisë, politika zyrtare e Serbisë që nga viti 2008 ka si objektiv pengimin e vendosjes dhe njohjes së shtetësisë së Kosovës, por nën presionin ndërkombëtar, Beogradi do të heqë dorë plotësisht nga kjo politikë. Dhe me siguri kjo do të jetë marrëveshje e Serbisë me Perëndimin që pushteti serb të mos e njohë drejtpërdrejti pavarësinë e Kosovës. Në këtë drejtim ishte edhe Marrëveshja e Ohrit. Mirëpo, ka edhe një problem tjetër, edhe nëse Beogradi heq dorë nga bllokimi i shtetësisë së Kosovës, Rusia mund ta bëjë këtë vetë dhe pa u konsultuar me Serbinë. Dhe kjo është një krizë me të cilën Rusia mund të manipulojë edhe më tej, për të bllokuar fundin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe për të shkaktuar përçarje në Evropë, por edhe për t’i siguruar vetes pozicione të caktuara në negociatat me Perëndimin në kushtet e luftës në Ukrainë.

Gazeta “Bota sot”: A do duhej që të ishte njohja e ndërsjellë pjesë e marrëveshjes finale, në mënyrë që problemi Kosove-Serbi te zgjidhet përfundimisht?

Boris Varga: Njohja e ndërsjellë duhet të jetë finalja e kësaj marrëveshjeje, por mendoj se rruga drejt kësaj është e gjatë dhe e turbullt. Sidomos kur është fjala për Serbinë, sepse asnjë politikan serb për një kohë nuk do ta njohë drejtpërdrejt pavarësinë e Kosovës. Një akt i tillë në politikën serbe është i barabartë me tradhtinë dhe askush nga politikanët serbë nuk dëshiron që me këtë t’i japë shpejt fund karrierës së vet politike. Në të njëjtën kohë, edhe Serbia nuk mund ta fillojë rrugën e saj të pavarur pa e njohur Kosovën. Sepse Kosova jo vetëm që e bën Serbinë një shtet të padefinuar, pretendimi i së cilës për territorin e Kosovës e mban rajonin në rrezik të vazhdueshëm konflikti. Gjithashtu, Kosova është një spirancë për Rusinë në Ballkanin Perëndimor. Moska i është ngjitur si parazit Serbisë dhe dirigjon jetën e saj të brendshme dhe të jashtme politike. Kosova jo vetëm që nuk është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht për shkak të Serbisë, por edhe Serbia, shtet i njohur ndërkombëtarisht në kufijtë e tjerë dhe pa Kosovën, dhe nuk është e pavarur sepse dirigjohet nga Moska.

Gazeta “Bota sot”: A është e vështire të mendohet se mund të arrihet një marrëveshje, derisa Vuçiqi në vazhdimësi hedh akuza ndaj Kurtit, dhe se dihet qe raportet mes te dy liderëve janë të tensionuara?

Boris Varga: Në rastin e Kosovës, Serbia ishte agresore dhe është në pozitë më të keqe, por kritikat nga Perëndimi, veçanërisht nga diplomatët amerikanë, në llogari të Kurtit dhe lëvizjeve të tij, veçanërisht në lidhje me zgjedhjet lokale dhe funksionimin e vetëqeverisjeve të reja lokale në veri të Kosovës, i japin presidentit serb Vuçiq një arsye shtesë për të shkelur marrëveshjen e Ohrit. Në shikim të parë, kjo është një zhbërje e dialogut dhe rivalitet mes dy liderëve. Por, duke e parë tablonë më hapur, në përleshjet në veri të Kosovës, u plagosën pjesëtarët e KFOR-it dhe ky konflikt nuk shpërtheu pa pëlqimin e Beogradit. Në rrethana të tilla humbasin edhe Beogradi prorus, edhe serbët e Kosovës. Nëse kihet parasysh edhe kriza më serioze në BeH për shkak të aspiratave secesioniste të Milorad Dodikut dhe Republika Serpskës, Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë bëhet detyrim i rrezikshëm i Prishtinës. Për shkak të sjelljes së tillë duale të Beogradit, Serbia po humb aleatët. Nuk mundeni që me njërën dorë përmes Republika Serpskës ta shkatërroni Bosnjë e Hercegovinën, e me tjetrën të fshini lotët, sepse nuk po ua japin Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Një politikë të këtillë të Vuçiqit Perëndimi e mbështetet vetëm në mënyrë deklarative dhe këtu Kurti është në epërsi.

Gazeta “Bota sot”: Serbia në vazhdimësi ka proklamuar idenë për “Boten serbe”, si e vlerësoni këtë dhe sa mund të arrihet kjo bazuar ne rrethanat gjeopolitike?

Boris Varga: Sikur Rusia të mos e kishte nisur agresion total kundër Ukrainës dhe luftën në Evropë, ideja e “botës serbe” do të ishte një retorikë e zakonshme nacionaliste për tabloidët dhe votuesit serbë. Kur nisi pushtimin e Ukrainës, Putini llogariste në krijimin e më shumë konflikteve dhe riformësimin e rendit botëror. Një nga krizat dhe frontet e tilla aktive duhej të ishte në Ballkanin Perëndimor – në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Ideja e “botës serbe” është një eufemizëm për idenë e “Serbisë së madhe”, e cila u mund me ndërhyrjet e NATO-s në vitin 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në vitin 1999 në Kosovë. Ideja e “botës serbe” u krijua sipas modelit të idesë pushtuese të “botës ruse” dhe gjatë gjithë kohës është nën koordinimin e saj. Nacionalistët serbë vetëm presin ndarje të reja në botë dhe një shans që çështja e Kosovës të zgjidhet ashtu siç po e zgjidh edhe Putini – me luftë dhe një eksod të ri të shqiptarëve. Problem është se idenë e “botës serbe” e mbështetën dhe proklamuan hapur përfaqësues të qeverisë serbe, si Aleksandar Vulini.

Veprimi i qeverisë serbe tregon shpesh se qëllimet e “Serbisë së Madhe” radikale janë ende aktuale. Fundja, anëtarët e partisë së Presidentit Vuçiq janë në fakt radikalë të Vojislav Sheshelit, por me kostum të ri! Megjithatë, ata nuk janë naivë dhe e dinë se nuk do të mund ta kthejnë Kosovën në mënyrën siç dashen në vitin 1998. Serbia u mund ushtarakisht, NATO-ja është në Kosovë, shqiptarët kanë forca të fuqishme të sigurisë. Autoritetet në Beograd janë të vetëdijshme se në Kosovë është humbur gjithçka dhe me pretekstin e luftës për Kosovën po ia mësyjnë BeH-së dhe po tentojnë ta kthejnë Malin e Zi nën ndikimin e tyre shtetëror. Ajo “bota serbe” është një rrezik real dhe mund të realizohet edhe pa ndikimin e Moskës.

Gazeta “Bota sot”: A mund të rrezohet Vuciq nga qeveria, kjo bazuar ne protestat e organizuara se fundi ne Beograd kundër tij?

Boris Varga: Në këtë fazë të protestave – jo. Protestat gjatë verës u qetësuan dhe praktikisht u shuan. Në fillim ishte e mundur. Vetëm se nuk kishte forcë politike për të artikuluar disponimin e popullit serb dhe nuk kishte mbështetje nga Perëndimi për ta legjitimuar këtë proces nga jashtë. Siç ishte me rastin e Maidanit të Ukrainës. Sepse është iluzion se Vuçiqi do të humbasë pushtetin në zgjedhje. Ai është si Millosheviqi, do të manipulojë zgjedhjet, do të krijojë kriza politike, po të jetë e nevojshme edhe konflikte, por pushtetin nuk do t’ia dorëzojë opozitës. Ai mund të largohet vetëm nën presion.

Megjithatë, Vuçiq nuk do të bjerë në rrugë për shkak të politikës pro-evropiane apo proruse, as ekologjisë, të drejtave të njeriut, por shkas vendimtar do të jetë Kosova. Sepse, tashmë nacionalistët serbë besojnë se anëtarët e partisë SNS dhe vet Vuçiqi kanë humbur shumë në Kosovë dhe në marrëveshjen e Brukselit, me hyrjen e serbëve në policinë e Kosovës, me integrimin në vetëqeverisjen lokale dhe në sistemin e drejtësisë të Kosovës. Dhe këtë nuk e thotë vetëm e djathta ekstreme dhe Boshko Obradoviqi nga Dveri, këtë e thotë edhe kinse opozita pro-evropiane. Në Serbi ideologjia e vetme është nacionalizmi serb dhe përderisa është kështu, nuk ka pajtim me fqinjët, veçanërisht me Kosovën. Siç thashë, “bota serbe” dhe ekspansioni ndaj Republika Serpskës dhe Malit të Zi do të jetë kompensimi i Vuçiqit për votuesit e tij për Kosovën e humbur.

Gazeta “Bota sot”: Sipas jush, si trajtohen shqiptarët në Serbi dhe a vlerësoni se duhet të ketë reciprocitet në të drejta, d.m.th, të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi?

Boris Varga: Në letër dhe formalisht, pakicat kombëtare në Serbi kanë të drejta solide. Është tjetër se si zbatohen ato në praktikë dhe si trajtohen pakica të caktuara etnike dhe fetare në shoqëri dhe politikë. Nuk është sekret se në Serbi ka pakica kombëtare të dëshirueshme dhe të padëshirueshme. Komuniteti kombëtar shqiptar në Serbi, për ta thënë më butë, është i neglizhuar. Madje do të thosha se është i stigmatizuar dhe kjo shihet pas çdo ekscesi publik mediatik, tash tri dekada dëmtohen furrat e bukës për të cilat turmat nacionaliste dyshojnë se janë shqiptare. Sigurisht se kjo nuk do të kishte ndodhur sikur Shqipëria të ishte në BE dhe të mund të shtrëngonte direkt Beogradin.

Ato bashkësi kombëtare shtetet amtare të të cilave janë në BE, kanë trajtim më të mirë, sepse ato mund të bllokojnë integrimin evropian të Serbisë, si kroatët, hungarezët, rumunët, bullgarët. Mirëpo, Ballkani i Hapur e zbuti disi trajtimin e tillë të shqiptarëve në publik, dhe qeveria prej zori u gjet edhe në Luginën e Preshevës. Ballkani i Hapur është një projekt perëndimor, por populist dhe do të varet nga marrëdhëniet e mira mes Vuçiqit dhe Ramës. Shtetet e tjera si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina shpesh kanë të drejtë nëse kanë rezerva ndaj Ballkanit të Hapur dhe këtij lloji të politikës.

A duhet që shqiptarët të marrin në Serbi atë që kërkojnë serbët në Kosovë, natyrisht. Kjo nuk është edhe joreale, duke përfshirë edhe Asociacionet e komunave, serbe dhe shqiptare, në të dyja anët e kufirit. Serbia së pari duhet ta trajtojë Kosovën si një hapësirë ku shumicën e përbëjnë njerëz të nacionalitetit shqiptar, dhe vetëm pastaj si një territor që e ka humbur. Asgjë nuk është e padrejtë, kjo u ka ndodhur në histori shumë komunitetve të papërgjegjshme dhe të dhunshme.

Gazeta “Bota sot”: Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka dorëzuar në Kuvendin e Serbisë një propozimligj të ri për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, sa ka vullnet në mesin e deputetëve serbë për ta votuar këtë projektligj?

Boris Varga: Ky dhe ligje të tjera të ngjashme nuk do të votohen, sepse dikush dëshiron të përmirësojë statusin e pakicave kombëtare apo demokracinë në Serbi. Ligje të tilla apo hapa pozitivë politikë ndaj pakicave miratohen në Serbi kryesisht nën presionin ndërkombëtar ose me marrëveshje dypalëshe.

Megjithatë, është mirë që politikanët shqiptarë nga Lugina e Preshevës marrin pjesë në jetën politike të Serbisë. Kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të problemeve dhe për stabilitet.

Show More

Related Articles

Back to top button