Vërshimet në Slloveni pas stuhisë së fortë që goditi vendin të enjten morën edhe dy jetë të tjera. Mbrëmjen e djeshme në ujërat e lumit Temenica në afërsi të fshatit Ivanja të komunës së Mirna Peçit është gjetur një person i mbytur, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.
Zjarrfikësit vullnetarë nga Mirna Peç kanë ndihmuar shpëtimtarët në transportimin e të ndjerit. Në trupin e personit nuk janë konstatuar gjurmë dhune, ndërsa shkaku i vdekjes do të dihet pas autopsisë. Policia ka bërë të ditur identitetin e të ndjerit, nga ku ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një 35-vjeçar nga zona e Mirna Peçit dhe se ende po mblidhen të dhënat për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij. Hetimi duhet të konfirmojë nëse ai ka pësuar si pasojë e përmbytjeve.
Një tjetër trup i pajetë i një burri është gjetur dje në një gropë septike në zonën e Mosit, në komunën e Komendës, raportojnë mediat sllovene. Siç thuhet, personi ka rënë në gropë teksa po riparonte pasojat e përmbytjeve.
Sipas radiotelevizionit slloven, me gjetjen e trupave të fundit, numri i të vdekurve nga përmbytjet e mëdha që përfshiu vendin është rritur në katër.
Të shtunën, shkruan RTV Slloveni, trupi i një të moshuari është gjetur në ujërat e Savës. Ai jetonte në afërsi të bregut në lokalitetin Tomaçevë. Më herët të premten u njoftua vdekja e një gruaje në zonën e Kamnikut. Mediat kanë raportuar edhe për pësimin e dy shtetasve holandezë në malet afër Kranjit, por detajet e këtij rasti aktualisht janë të paqarta.
Sllovenia po lufton për të katërtën ditë me përmbytjet, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Prurja e lumit Mura ulet, por uji vazhdon të vërshojë shtëpi dhe oborre.
Kryeministri slloven, të shtunën tha se vendi po përballet me fatkeqësinë më të rëndë natyrore në historinë e re. Vlera e dëmeve, tha ai, llogaritet të kalojë gjysmë miliardë euro, duke theksuar se dy të tretat e vendit janë prekur nga përmbytjet.
Zjarrfikësit ndërhynë 57 herë gjatë natës – kryesisht në Pomurje dhe Korushka. Shumica e intervenimeve kanë qenë në zonën e Murska Sobotës dhe Sllovenj Gradecit, ndërsa në terren kanë dalë edhe zjarrfikësit në Celje, Lubjanë dhe Maribor.
Uji përgjatë lumenjve Mura, Drava dhe Sava ende nuk është tërhequr dhe rrugë të shumta janë mbyllur. Kushtet e motit janë disi më të mira, por pasdite priten reshje të reja.
Rrjedha e Murës në Gornja Radgona është në rënie dhe ka rënë nën 1000 metra kub në sekondë, por ende ka shumë ujë, veçanërisht në rrjedhën e poshtme të lumit, dhe rreziku ende fshihet në Spodnje Krapje dhe Mot.
Në Pomurje, siç raportojnë mediat sllovene, janë angazhuar 1500 zjarrfikës dhe pjesëtarë të mbrojtjes civile dhe disa qindra vullnetarë.
Në Slloveni janë 2899 familje pa energji elektrike, kryesisht në zonën e Celjes. Në Kamnik u bëhet thirrje qytetarëve që ta përdorin ujin në mënyrë racionale, e disa prej tyre ende nuk kanë energji elektrike.
Qeveria ka lejuar që dyqanet e ushqimit, mallrave teknike dhe pajisjeve për fëmijë të punojnë të dielave dhe ditëve të festave, si dhe lejohet zgjatja e orarit të punës.
Luftim me vërshimet edhe në veri të Kroacisë
Një natë pa gjumë kanë pasur edhe shërbimet emergjente të ndërhyrjes dhe shpëtimit në Kroaci, duke luftuar përmbytjet në veri të vendit dhe në zonën më të gjerë të Zagrebit, raporton HRT.
Mbrojtja emergjente nga vërshimet është në fuqi për Drava në Botovë, për Mura në Murski Sredishke dhe Goriçan dhe për Sava – në Rugvicë dhe Dubrovçak.
Niveli i ujit të lumit Mura në Kroaci, prej 537 centimetrash, është më i larti në histori dhe shërbimet kompetente po bëjnë gjithçka për të mbrojtur qytetarët dhe pronat.
Niveli i ujit të lumit Sava në Zagreb është në rënie, por ende ka probleme në disa pjesë të rrjedhës së tij.
Kritike është edhe në Mursko Sredishke, ndërsa probleme ka edhe në Sveti Martin na Mura, ku shërbimet e emergjencës po përpiqen të pengojnë ujin të arrijë nëpër shtëpi.