Forcat e mbrojtjes ajrore të Rusisë kanë rrëzuar dy raketa ukrainase mbi urën që lidh Krimenë e aneksuar me Rusinë, tha një zyrtar më 12 gusht.
“Forcat e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar dy raketa të armikut mbi Ngushticën Kërç. Ura e Krimesë nuk është dëmtuar”, tha Sergei Aksyonov, guvernator i instaluar nga Rusia në Gadishullin e Krimesë.
Ai u bëri thirrje banorëve që të ruajnë qetësinë.
Disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale shfaqën tym duke dalë në afërsi të urës.
Në një deklaratë të ndarë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se Kievi ka tentuar që të sulmojë urën në Krime me raketa kundërajrore të llojit S-200.
Raketat janë detektuar dhe penguar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë, tha ministria, duke shtuar se nuk ka viktima e as dëme.
Më herët gjatë së shtunës, Rusia tha se ka rrëzuar 20 dronë ukrainas afër Gadishullit të Krimesë, zonë ku Kievi ka intensifikuar sulmet.
Katërmbëdhjetë dronë u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe gjashtë përmes pajisjeve luftarake elektronike, tha Ministria e Mbrojtjes.
Krimea, e aneksuar nga Rusia më 2014, ka qenë shënjestër e Kievit që kur Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj javëve të fundit.
Kievi vazhdimisht ka thënë se planifikon të rimarrë kontrollin e Krimesë dhe po ashtu ka sulmuar urën në Krime, që është një prej projekteve kryesore të prezantuara nga presidenti rus, Vladimir Putin./R.E.L