Rubla rrëshqiti nën vlerën 100 kundrejt dollarit amerikan, duke iu afruar nivelit më të ulët në 17 muaj.
Valuta ruse ka humbur rreth 30 për qind ndaj monedhës së gjelbër që nga fillimi i vitit. Banka e Rusisë ka fajësuar tkurrjen e bilancit tregtar të vendit, pasi suficiti i llogarisë rrjedhëse të Rusisë ra me 85 për qind nga viti në vit nga janari në korrik.
Banka Qendrore ruse ndaloi të enjten blerjet e valutës së huaj për pjesën tjetër të vitit në një përpjekje për të mbështetur monedhën, e cila po ushqen frikën e rritjes së inflacionit ndërsa Rusia përpiqet të transformojë rrënjësisht ekonominë e saj përballë izolimit në rritje dhe sanksioneve ndëshkuese perëndimore.
William Jackson, kryeekonomist i tregjeve në zhvillim në Capital Economics, vuri në dukje se ngadalësimi i kufizuar në ekonomi ka të ngjarë të nxisë më tej presionet e inflacionit dhe të rezultojë në shtrëngim të politikës monetare, duke dobësuar potencialisht rritjen gjatë pjesës së mbetur të vitit dhe në 2024.
“Ndoshta rreziku kryesor për ekonominë është nëse qeveria e mban të lirë politikën fiskale për të mbështetur përpjekjet e luftës, gjë që do të bënte që dobësitë ekonomike të Rusisë të përkeqësoheshin më tej”, tha Jackson.