Të paktën 17 ushtarë u vranë dje, të martën, në Niger në një sulm që besohet se është kryer nga xhihadistët përpara një samiti të rëndësishëm ushtarak të Afrikës Perëndimore që do të mbahet nesër, të enjten, për të shqyrtuar një ndërhyrje të mundshme të armatosur për të rivendosur rendin kushtetues në këtë vend, pas grushtit të shtetit të 26 korrikut.
Edhe pse opsioni i ndërhyrjes ushtarake mbetet në tryezë për të rikthyer në detyrë presidentin e rrëzuar Mohamed Bazum, rruga e dialogut dhe diplomacisë me regjimin ushtarak në pushtet në Niamey megjithatë duket se është e preferueshme.
I përballur prej vitesh me dhunën e organizatave xhihadiste, Nigeria përsëri mbajti zi për viktimat dje, të martën, në orët e para të pasdites.
Të paktën 17 ushtarë nigerianë u vranë dhe 20 u plagosën në një sulm pranë kufirit me Burkina Faso në rajonin jugperëndimor të vendit. Ky është sulmi më i përgjakshëm që nga grushti i shtetit të 26 korrikut.
Ushtria, e cila mori pushtetin e udhëhequr nga gjenerali Abdurrahman Tiani, përmendi kryesisht “përkeqësimin e situatës së sigurisë” për të justifikuar grushtin e shtetit.
Tre javë pasi puçistët morën pushtetin, kërcënimi i një ndërhyrjeje ushtarake nga vendet e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore është ende mbi Niamey.
Nesër, të enjten dhe pasnesër, të premten, shefat e shtabit të forcave të armatosura të vendeve të Afrikës Perëndimore do të takohen në Akra të Ganës, për të shqyrtuar detajet e një operacioni të tillë.
“Ne mbetemi të fokusuar në rrugën diplomatike për të arritur (…) kthimin në rendin kushtetues dhe besoj se ka ende hapësirë për të arritur këtë rezultat përmes diplomacisë”, tha dje, të martën, kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken.
Më herët gjatë ditës, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i Malit, Asimi Goita, gjithashtu kishin nënvizuar gjatë bisedës së tyre telefonike “rëndësinë e zgjidhjes së situatës” në Niger “ekskluzivisht përmes mjeteve paqësore politike dhe diplomatike”.