Bashkimi Evropian po dërgon më shumë burime emergjente për të ndihmuar Greqinë me zjarret, tha sot komisioneri i BE-së për Krizat Janez Lenarčič.
“Pesë aeroplanë të tjerë dhe një helikopter po mbërrijnë nga Gjermania, Kroacia, Suedia dhe Republika Çeke”, tha Lenarčič në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Ndihma emergjente për Greqinë po koordinohet nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, një platformë për të koordinuar dhe ndarë burimet emergjente në bllok.
Athina kishte kërkuar dhe marrë më parë ndihmë për zjarret e mëdha këtë vit.
“Dy prej avionëve zjarrfikës vijnë nga Gjermania”, tha një zëdhënës i brigadës greke të zjarrfikësve për transmetuesin shtetëror ERT.
Në Greqi, zjarret e mëdha të pyjeve kanë shpërthyer prej ditësh në pjesë të ndryshme të vendit. Qyteti i Alexandroupolis dhe Parku Kombëtar Dadia në verilindje të vendit janë prekur kryesisht.
Zjarrfikësit prej disa ditësh kanë pasur vështirësi të mëdha për të vënë nën kontroll zjarret për shkak të erërave të forta në shumë pjesë të vendit.