Kabineti gjerman i ka miratuar më 23 gusht planet për ta lehtësuar rrugën drejt shtetësisë për emigrantët dhe për të lejuar më shumë njerëz të kenë nënshtetësi të dyfishtë.
Sipas rregullave të reja të propozuara, të cilat ende duhet të miratohen nga parlamenti, natyralizimi në Gjermani do të ishte i mundur pas pesë vjetësh në vend të tetë vjetëve sa është tani.
Ata që janë veçanërisht të integruar mirë dhe kanë aftësi shumë të mira të gjuhës gjermane do të mund ta marrin nënshtetësinë pas vetëm tre vjetësh.
Qytetarët e rinj potencial do të duhet të tregojnë se nuk janë të varur nga ndihmat sociale të shtetit, megjithëse do të ketë përjashtime nga ky kusht.
Rruga drejt shtetësisë ka mbetur e vështirë për shumë emigrantë nga Turqia dhe vende të tjera që erdhën në Gjermani si të ashtuquajtur “punëtorë mysafirë” në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.
E drejta për shtetësi të dyfishtë në përgjithësi është aktualisht e kufizuar për qytetarët e BE-së dhe zviceranëve, megjithëse janë bërë disa përjashtime.
Rishikimi i legjislacionit ishte një premtim kryesor i bërë nga qeveria e koalicionit të udhëhequr nga qendra e majtë e kancelarit Olaf Scholz kur erdhi në pushtet në fund të vitit 2021.
Vendi me ekonominë më të madhe në Evropë po përpiqet gjithashtu të tërheqë punëtorë të huaj për t’i plotësuar mungesat akute të fuqisë punëtore dhe dëshiron ta bëjë veten një destinacion më tërheqës.
Ligji i ri pasqyron “shoqërinë e larmishme” të Gjermanisë, tha në një konferencë shtypi ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.
Gjermania ishte në një “konkurrencë globale për mendjet më të mira” dhe do ta përmirësonte ofertën e saj për punëtorët potencial duke ofruar një rrugë të qartë drejt shtetësisë, tha Faeser. /REL/