Përfaqësuesit e 30 vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan të martën protokollet e anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën, duke hedhur edhe një hap drejt zgjerimit të aleancës. Hapi i radhës është miratimi i protokolleve nga parlamentet e vendeve anëtare.
Veprimi shton më tej izolimin strategjik të Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainën fqinje.
“Ky është me të vërtetë një çast historik për Finlandën, për Suedinë dhe për NATO-n”, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Të 30 ambasadorët dhe përfaqësuesit e përhershëm miratuan zyrtarisht vendimet e takimit të lartë të NATO-s të javës së kaluar, kur aleanca mori vendimin historik për të ftuar fqinjin e Rusisë Finlandën dhe partnerin skandinav Suedinë për t’iu bashkuar klubit ushtarak.