GostivarLajme

Shpërndarja e teksteve mësimore, Iseini: Vetëm 30% të librave na kanë ardhur nga MASH

Para fillimit të vitit të ri shkollor, nxënësit dorëzojnë librat e vitit paraprak, ndërkohë furnizohen me ato të vitit vijues. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ditën e djeshme thanë se të gjitha tekstet shkollore që janë miratuar deri më tani do tu shpërndahen shkollave deri më 1 Shtator. Por, nga vizita nëpër shkolla që bëri televizoni Globi, situata flet ndryshe. Shkollat dhe nxënësit edhe këtë vit shkollor përballen me mungesë librash ndërsa shumë prej tyre janë të dëmtuara. Drejtori i Gjimnazit të Gostivarit, Mirsad Iseini thotë se nga porosia prej 150 libra të lëndës në Gjuhën Shqipe, MASH u ka dorëzuar vetëm 35. Situatë e ngjashme ishte edhe me librat në lëndën e Gjuhës maqedonase dhe asaj turke.

“Ne si gjimnaz nuk e kemi hallin e shkollave profesionale, deridiku jemi të furnizuar me libra, mirëpo kërkesat që bëhen paraprakisht nga secila shkollë deri te MASH, nuk e marrim numrin që e kemi kërkuar. Nga ai numër që ne kemi kërkuar, kemi marrë një numër të reduktuar të librave, por kemi libra të viteve të kaluara të cilët edhe pse janë të dëmtuara ose me kopertinë të dobët, prapë do të gjindemi. Për shembull në Gjuhën Shqipe për vitin e parë në gjimnaz nga 120 libra të porositura, maqedonisht 45 dhe turqisht 55, ne kemi marrë vetëm 36 libra prej 120 në shqip që kemi kërkuar. Vetëm për shqip dhe matematik në paralelet shqipe kemi marrë nga 36 për vitet e para, të dyta dhe të treta. Kërkesat tjera që kemi bërë, akoma nuk kemi marrë asnjë libër. Në bazë të kontakteve me MASH, akoma na thonë se deri me 31 Shtator do na furnizojnë”, deklaron Mirsad Iseni, drejtor i Gjimnazit të Gostivarit.

Problemi tjetër që edhe këtë vit vazhdon janë mungesa e librave për gjuhët e huaja. Drejtori Iseini thotë se ato do të fotokopjohen, ndërsa për harxhimet herë paguan shkolla, herë vetë mësimdhënësit apo nxënësit.

“Te gjuhën e huaja kemi mungesë, atje nuk kemi libra fare dhe secili profesor punon në mënyrën e vet, por normalisht të koordinuar me materialin që jep Byrja për Zhvillim të Arsimit, me kopje, programe vizuale, por pa libra. Kopjet disa herë i kemi bërë ne si shkollë, me profesorët, nxënësit kanë marrë përsipër, pra kemi provuar të gjitha mundësitë që të realizohet mësimi”, deklaron më tej Mirsad Iseni, drejtor i Gjimnazit të Gostivarit.

Ndërkohë, nxënësit e vitit të dytë gjimnaz edhe sivjet do të mësojnë nga libri i gjeografisë me ofendime dhe fyerje ndaj popullit shqiptar. Megjithatë, drejtorët e shkollave të mesme edhe sivjet besojnë se problemi me tekstet shkollore deri në fund të shtatorit të zgjidhet.

“I bëra disa vite duke besuar, vazhdojë të besoj akoma. Vetëm besoj!”, thotë Mirsad Iseni, drejtor i Gjimnazit të Gostivarit.

Përpos fotokopjimit të librave, nxënësit bashkë me prindërit bëjnë edhe përllogaritjet tjera se sa para do të duhet të ndajnë nga xhepat e tyre për ditën e parë të shkollës. Televizoni Globi vizitoi disa nga libraritë e qytetit. Sipas çmimeve aktuale nevojiten 5000 denarë për mjete shkollore për një nxënës. Vizita jonë nëpër librari tregoi se çmimet e fletoreve variojnë nga 25 deri në 80 denarë, lapsi kushton 20 denarë, ngjyrat janë nga 140 deri në 250 denarë, ndërsa çmimi i çantave shkollore varion nga 1.000 deri në 3.000 denarë. Libraritë thonë se çmimet varen nga marka dhe cilësia e materialeve. Përveç mjeteve të nevojshme shkollore, prindërit duhet të ndajnë para edhe për veshje të reja, e cila rëndon edhe më shumë buxhetin familjarë. Siç thonë disa nga prindërit me të cilët biseduam, fillimi i vitit shkollor u kushton rreth 200 euro në total. Ndryshe, viti shkollor fillon nga 1 shtatori. Sipas vendimit të Qeverisë, gjysëmvjetori i parë duhet të përfundojë më 29 dhjetor, fillimi i gjysëmvjetorit të dytë është caktuar më 22 janar, ndërsa në periudhën nga 29 prilli deri më 5 maj nxënësit do të jenë në pushim pranveror. Viti shkollor do të zgjasë deri më 17 qershor.

Show More

Related Articles

Back to top button