BotaLajme

Shtëpia e Bardhë shpreh mbështetje për reformat anti-korrupsion në Ukrainë

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan u takua sot me një delegacion të përbërë nga drejtuesit e institucioneve anti-korrupsion të Ukrainës, përfshirë drejtorin e Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit, Semen Kryvonos, Prokurorin e Posaçëm Kundër Korrupsionit, Oleksandr Klymenko, si dhe Kryetaren e Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit, Vira Mykhailenko, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarët diskutuan për progresin që ka bërë Ukraina në luftën kundër përfitimeve të paligjshme dhe për ruajtjen e autonomisë së institucioneve jetike qeveritare.

Sullivan theksoi rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe të paanshme të zbatimit të ligjit dhe të gjyqësorit për shoqëritë demokratike. Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit për reformat anti-korrupsion në Ukrainë, si dhe për “mbrojtjen e guximshme nga Ukraina të demokracisë së saj, përballë agresionit të Rusisë”.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të marrë pjesë në takimin e përvitshëm këtë muaj në Nju Jork të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, u tha gazetarëve të premten Ferit Hoxha, ambasadori në OKB i Shqipërisë, që mban presidencën e Këshillit të Sigurimit për muajin shtator. Udhëheqësit botërorë do të fillojnë të mblidhen në Nju Jork më 18 shtator. Takimi i Këshillit të Sigurimit për Ukrainën do të mbahet më 20 shtator.

Show More

Related Articles

Back to top button