BotaLajme

Moti i keq dhe përmbytjet kanë përfshirë një pjesë të madhe të Spanjës

Dy persona humbën jetën ndërsa dëmet janë të mëdha, alarmi i kuq është shpallur në shumë rajone spanjolle

Moti i keq dhe përmbytjet kanë përfshirë një pjesë të madhe të Spanjës. Alarmi i kuq është vendosur në rajonet e Madridit, Toledos dhe Cádiz.

Banorëve në Madrid u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga stuhia Dana. Dy persona humbën jetën teksa po zbrisnin në luginën Gorgol, në rajonin e Aragonit.

Përmbytjet në Alcanar, Tarragona, në bregun lindor të Spanjës bënë që të gjithë banorët të shmangin daljet nga shtëpitë. 

Përrenjtë dolën nga shtrati duke përmbytur disa shtëpi në Alcanar të Spanjës. Një video e shpërndarë në rrjete sociale tregon sesi rrjedha e fuqishme e ujit merr përpara çdo gjë dhe duke përmbytur rrugët. Shërbimet e urgjencës u dërguan mesazhe banorëve duke i paralajmëruar ata për rreziqet e përmbytjeve dhe duke i këshilluar që të mos përdorin automjetet.

Situata më kritike mbetet në tre rajone bregdetare Cádiz, Tarragona dhe Castelló. Stuhia Dana ka shkaktuar rrëshqitje të dherave, ndërsa shumë automjete kanë ngecur në baltë për shkak të përmbytjeve.

Sipas gazetës El Pais, disa shërbime të trenave janë ndërprerë në të gjithë Spanjën dhe shoferët janë paralajmëruar të shmangin udhëtimet në zonat e përmbytura. Ngjarjet e motit të kësaj fundjave pasojnë një verë të nxehtë përvëluese në Spanjë dhe në pjesën më të madhe të Evropës Jugore.

Klan News

Show More

Related Articles

Back to top button