Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nga Evropa Qendrore dhe Lindore i kanë bërë thirrje Rusisë që të tërheqë, pa kushte, trupat e saj nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbështesin Kievin “për aq kohë sa të jetë e nevojshme” në mënyrë që të zmbrapsë pushtimin në shkallë të plotë të nisur nga Moska.
Në një deklaratë të përbashkët të miratuar në Bukuresht, 12 shtete nga Nisma e Tri Deteve u zotuan të luajnë rol kyç në rindërtimin e Ukrainës pasi të ketë përfunduar lufta.
“Ne mbesim të përkushtuar që të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u tha në deklaratë, raporton REL.
“Ne jemi të përkushtuar të luajmë rol kyç në rindërtimin e Ukrainës”, u shtua në deklaratë, ku agresioni rus u përshkrua si “shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”.