BotaLajme

Borrell: Mosanëtarësimi i Gjeorgjisë në BE i shkon për shtati Rusisë

Dështimi i Gjeorgjisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian do t’i shkonte për shtati Rusisë, ka thënë kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, teksa i ka bërë thirrje Tbilisit që t’i zbatojë reformat demokratike.

Bashkimi Evropian e ka njohur “perspektivën evropiane” të Gjeorgjisë vitin e kaluar, mirëpo nuk e ka çuar përpara aplikacionin e anëtarësimit – ndonëse Ukrainën dhe Moldavinë i ka bërë vende kandidate – duke thënë se Tbilisi duhet t’i bëjë fillimisht disa ndryshime.

Në një vizitë në Gjeorgji, Borell ka thënë se “pa asnjë dyshim, Gjeorgjia i takon familjes evropiane”.

Mirëpo ai ka përmendur se Tbilisi deri më tani i ka zbatuar vetëm tri prej 12 kërkesave të BE-së, të cilat shërbejnë si parakusht që Gjeorgjia ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Rusia do të jetë shumë e lumtur nëse ne nuk ia dalim” për ta integruar Gjeorgjinë në BE, ka thënë Borell në një konferencë për media, bashkë me kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, duke shtuar se “Bashkimi Evropian nuk do ta braktisë Gjeorgjinë”.

Ai e ka kritikuar vendimin e marrë së fundi nga Gjeogjia për t’i rikthyer fluturimet direkte me Rusinë, duke i bërë thirrje Tbilisit që të veprojë në përputhje me politikat e BE-së për Rusinë.

Garibashvili ka insistuar se Qeveria e tij është “plotësisht në linjë me BE-në kur është fjala për luftën e Rusisë në Ukrainë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Ai ka thënë se “vendimi më i mirë do të ishte nëse Gjeorgjia do ta merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, deri në fund të vitit”.

Sipas tij, nëse BE-ja dështon në ofrimin e mbështetjes për Gjeorgjinë, “diçka e tillë do të dërgojë mesazh të keq te Rusia”.

Autoritetet e Gjeorgjisë janë përballur me kritika të ashpra për shkak të vlerësimeve për ulje të shkallës së demokracisë në këtë vend dhe bashkëpunim me Kremlinin, çka i ka dëmtuar seriozisht lidhjet e Tbilisit me Brukselin.

Anëtarësimi i Gjeorgjisë në BE, është synim i përfshirë në kushtetutën e këtij shteti dhe mbështetet – sipas sondazheve – nga 80 për qind e popullsisë.

Show More

Related Articles

Back to top button