Kanadaja do të hedhë rreth 13.6 milionë doza të vaksinës anti-COVID, Oxford-AstraZeneca, sepse nuk mund të gjente marrës për to brenda dhe jashtë vendit, shkruan AP.
Kanadaja nënshkroi një kontratë me AstraZenecan më 2020 për të marrë 20 milionë doza të vaksinës dhe 2.3 milionë kanadezë morën të paktën një dozë të saj, kryesisht midis marsit dhe qershorit 2021.
Pas shqetësimeve në pranverën e vitit 2021 për mpiksjen e gjakut nga AstraZeneca, Kanadaja u përqendrua në përdorimin e vaksinave Pfizer dhe Moderna.
Në korrik 2021, Kanadaja premtoi të dhurojë pjesën tjetër të furnizimit të saj të prokuruar, rreth 17.7 milionë doza. Por në një deklaratë të mërkurën, Health Canada tha se pavarësisht përpjekjeve për të përmbushur këtë premtim, 13.6 milionë doza kanë skaduar dhe do të duhet të hidhen në kosh.
Në total, Kanadaja dhuroi 8.9 milionë doza të vaksinës AstraZeneca – 4.8 milionë doza nga furnizimi i saj kryesor dhe 4.1 milionë doza që bleu nga programi i ndarjes së vaksinave COVAX.
Rreth 85% e kanadezëve konsiderohen të vaksinuar plotësisht, krahasuar me 61% të popullsisë së botës dhe vetëm 16% të njerëzve që jetojnë në vendet më të varfra të botës.
© KOHA