Ukraina ka dorëzuar padi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë, për shkak të ndalesave të tyre në importet e mallrave ushqimore.
Ky vend ka thënë se kufizimet e tilla i shkelin obligimet ndërkombëtare të fqinjëve evropianë të Ukrainës. Në anën tjetër, këto vende të Bashkimit Evropian, kanë thënë se ndalesat janë të nevojshme për t’i mbrojtur bujqit nga importet e lira.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur vitin e kaluar, e ka pamundësuar bartjen e mallrave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe sasi të mëdha të grurit kanë përfunduar në qendër të Evropës.
“Është thellësisht e rëndësishme për ne të dëshmojmë se vendet individuale nuk mund t’i ndalojnë importet e mallrave ukrainase. Për këtë arsye jemi duke nisur padi kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë në OBT”, ka thënë ministrja ukrainase e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko.
Ajo ka thënë se eksportet ukrainase “veçse janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen” nga ndalesat e njëanshme.
Polonia ka thënë se do ta vazhdojë ndalesën, pavarësisht padisë.
“Ne e ruajmë pozicionin tonë, mendojmë se është i drejtë, rezulton nga analiza ekonomike që del prej BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian ka vendosur që të mos e vazhdojë një ndalesë – për të cilën është arritur pajtueshmëri më herët gjatë vitit – për qarkullim të importeve ukrainase në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki.
Komisioni e ka përmendur se vendet nuk mund të marrin vendime individualisht për politikën e bllokut evropian me 27 anëtarë. Mirëpo, qeveritë në Budapest, Varshavë dhe Bratislavë e kanë sfiduar vendimin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.