Ukraina e ka kryer një sulm të fuqishëm me raketë të premten ndaj shtabit të përgjithshëm të Flotës Detare të Rusisë në Detin e Zi, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Video dhe fotografi të publikuara nga vendi i ngjarjes shfaqën shtëllunga të mëdha tymi mbi ndërtesën në Sevastopol, në Krimenë e aneksuar.
Guvernatori i vendosur nga Rusia në Sevastopol, Mikhail Razvozhayev, tha se askush nuk u lëndua jashtë ndërtesës që mori flakë, dhe nuk dha hollësi për viktima. Zjarrfikësit dhe forca të shumta emergjente u thirrën për ta shuar zjarrin, që është tregues se zjarri mund të jetë shumë i madh.
Ministria ruse tha se një shërbyes i saj është zhdukur pas sulmit.
Banorët e Sevastopolit thanë se dëgjuan shpërthime në qiell dhe se e panë tymin, sipas mediave ruse. Fotografitë e publikuara nga kanalet ukrainase në Telegram shfaqën re tymi mbi pjesën e përparme të detit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se pesë raketa u rrëzuan nga sistemet e saj mbrojtëse ajrore që kishin cak Sevastopolin.
Oleg Kryuchkov, zyrtar për administratën e Krimesë, i paralajmëroi fillimisht banorët e Sevastopolit se ekzistonte rreziku për edhe një sulm tjetër dhe iu bëri thirrje të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe mos të shkonin në qendër të qytetit.
Më vonë, ai tha se nuk ka më rrezik për ndonjë sulm ajror, por e përsëriti thirrjen për qytetarët të mos shkonin në pjesën qendrore të qytetit, duke thënë se rrugët ishin mbyllur.
Policia iu kërkoi banorëve të largoheshin nga qendra e qytetit, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Tass.
Ky sulm vjen vetëm një ditë pasi Rusia kreu sulme të mëdha me raketa dhe artileri nëpër qytetet e Ukrainës, duke i vrarë pesë persona, në një kohë kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me presidentin amerikan Joe Biden dhe liderët e Kongresit në Uashington, për të biseduar për një pako ndihma shtesë në vlerë 24 miliardë dollarë, raporton REL.
Qyteti i portit, Sevastopol, shërben si bazë kryesore për Flotën Detare të Rusisë.
Gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina më 2014 në një veprim të cilin shumica e botës e cilësoi si të jashtëligjshëm, ka qenë cak i shpeshtë qëkur presidenti rus Vladimir Putin e urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës 18 muaj më parë.