Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka pasur një natë të ngarkuar. Forcat ajrore të vendit kanë shkatërruar me sukses 11 raketa lundrimi dhe 19 dronë.
“Pushtuesit rusë sulmuan Ukrainën me raketa lundrimi Kalibr, raketa anti-anije P-800 Onyx dhe UAV të tipit Shahed”, thuhet në një njoftim nga Forcat Ajrore.
Raketat e lundrimit janë shkrepur nga një anije e vogël raketore dhe nëndetëset në Detin e Zi, dronët janë lëshuar nga juglindja, ndërsa raketat kundër anijeve Onyx erdhën nga Sevastopoli.
Prej raketave që arritën të depërtonin në territorin ukrainas, një grua u plagos dhe infrastruktura portuale që përfshin edhe depot e grurit u dëmtua në rajonin e Odesas.
Guvernatori i rajonit Oleh Kiper tha se një zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë shumëkatëshe jo-rezidenciale në qytet por u shua menjëherë.
Sipas autoriteteve ukrainase sulmi në Odesa është bërë në shenjë hakmarrje për sulmin ukrainas në selinë qendrore të Flotës ruse në Detin e Zi.
Sulmi i së premtes në bazën ruse, i kryer me raketa Storm Shadow, shkaktoi dhjetëra viktima sipas Kievit.
Odesa është vëzhguar me kujdes nga tregjet e drithit që kur Ukraina shpalli një “korridor humanitar” për anijet që të lundrojnë në portet e Detit të Zi dhe të ngarkojnë grurë për tregjet afrikane dhe aziatike, pasi Rusia në korrik doli nga marrëveshja që siguronte eksportet e sigurt.
Që nga korriku, Moska ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës eksportuese të grurit në rajonet jugore të Odesës dhe Mykolaiv.
Nataliya Gumenyuk, zëdhënëse e komandës ushtarake jugore të Ukrainës, tha se Rusia me sa duket “po përpiqet të testojë densitetin e mbrojtjes ajrore” të Kievit.
“Ata e kuptojnë se infrastruktura portuale është një prioritet për rajonin tonë dhe se ajo mbrohet në mënyrë të besueshme. Kjo është arsyeja pse sulmi që ndodhi sonte ishte masiv dhe me mjete të kombinuara”, tha ajo.
Ndërkohë agjencia ruse e lajmeve Tass raporton se ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka raportuar se ka shkatërruar dronë ukrainas mbi pjesën veriperëndimore të Detit të Zi, pranë Krimesë, si dhe mbi rajonet Kursk dhe Bryansk.