LajmeMaqedoni

Shteti subvencionon prodhimin ushqimor, ai përfundon në tavolinat e huaja

Bujqërit thonë se nuk mund të vrapojnë nëpër ara dhe të merren me shitje dhe se përgjegjës për këtë janë tregtarët. Eksportet e ushqimeve janë rritur për 7,3 për qind në 7 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa importet janë rritur për 11,5 për qind, tregojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave. Gjatë kësaj periudhe, është eksportuar ushqim në vlerë prej 270 milionë euro, ndërsa është importuar dyfish më shumë – 555 milionë euro. Nga ana tjetër, shuma që jepet për subvencionimin e prodhimit bujqësor rritet çdo vit dhe pas zhvillimeve me koronën dhe luftën në Ukrainë, angazhimi kryesor i Ministrisë së Bujqësisë është rritja e prodhimit të ushqimit strategjik në mënyrë që të bëhemi sa më të pavarur nga importi, shkruan PRESSonline.al
Rritja e eksportit të ushqimeve, veçanërisht të produkteve bujqësore, revoltoi ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili para pak kohësh tregtarëve të ushqimit u tha se Maqedonia nuk mund të jetë vendi rezervë i tyre.

– Duke parë të dhënat zyrtare dhe jozyrtare, të cilat i marrim nga burime të ndryshme, vihet re se rritja më e madhe e çmimeve është tek frutat dhe perimet. Ne kemi një mesazh – tregu i Maqedonisë të mos jetë rezervë për tregtarët në fushën e furnizimit me pemë dhe perime. Masat specifike do të pasojnë. Nga korriku e deri më sot vërehet se ka një eksport shumë të madh të produkteve bujqësore, por kjo duhet të ndërlidhet me rritjen e prodhimit dhe jo me faktin se në disa vende ka mungesë të këtyre produkteve, kështu që në vend që të mbulojnë tregun maqedonas, sasitë të eksportohen – tha Bekteshi, përcjell PRESSonline.al

Në vitin 2023, Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural do të ketë 140 milionë euro, prej të cilave 114 milionë euro janë të destinuara për pagesën e subvencioneve dhe zbatimin e reformës në bujqësi. Bujqërit, sipas njoftimeve nga Ministria, kanë marrë paradhënie të subvencioneve. Mbështetje shtesë do t’u jepet atyre bujqërve që do të fokusohen në prodhimin e kulturave strategjike, përdorimin e farave të certifikuara dhe dorëzimin e produktit në objektet e regjistruara apo kooperativat bujqësore. Mbështetje shtesë ofrohet për bujqërit që krijojnë një produkt final për shitje nga prodhimi i tyre.

Por siç thonë vetë bujqërit, prodhimet bujqësore nuk janë në gjendje t’i shesin vetë, por bashkëpunojnë me tregtarët që vijnë dhe i mbledhin nga arat.

– Nuk mund të vrapojmë nëpër fusha dhe të shesim prodhime bujqësore, prandaj negociojmë me tregtarët. Ka disa tregtarë më të mëdhenj që vijnë dhe mbledhin të gjitha llojet e perimeve, kanë edhe frigoriferë, ne jo – shpjegojnë për “Slloboden Peçat” bujqërit nga Strumica, përcjell PRESSonline.al

Kryetari i Agro Unionit nga Strumica, Risto Velkov, shpesh bën llogaritë dhe thotë se “ajkën e fermerëve e hanë tregtarët”.

– Derisa frutat dhe perimet arrijnë në treg, çmimi jo rrallë herë dyfishohet – thotë Velkov.

Viktor Petkov, kryetar i Grupit të Industrisë së Konservimit në Odën Ekonomike, thotë se “indikatorët bazë për sezonin përpunues nuk janë idealë, por është shumë e rëndësishme se cila do të jetë kërkesa nga jashtë”.

– Ne jemi të lidhur me kërkesat në Hungari, Poloni, Rusi… Nëse paraqitet “vrimë” tek ta, mund ta marrin shumë lehtë lëndën e parë për industrinë tonë përpunuese. Ne nuk kemi masa mbrojtëse, ndryshe nga Austria apo vendet e tjera që kanë për industrinë vendase. Po, kemi prodhim me kontratë, por është i kushtëzuar. Nëse sistemi i drejtësisë nuk funksionon, prodhuesit me të cilët kemi prodhim kontraktual mund të arsyetohen lehtësisht duke thënë se ka pasur thatësirë, se nuk kanë pasur prodhime të mjaftueshme, tha për “Slloboden Peçat”- Petkov, përcjell PRESSonline.al

Show More

Related Articles

Back to top button