LajmeMaqedoni

U shtuan debatet, u shtuan konfliktet, u shtuan telashet…, por jo edhe zgjidhjet…

Në këto kohëra kur kërkohen reflektime dhe debate konstruktive e pragmatike për avancim reformash, akoma hasim sharje dhe debate për me i treguar njëri tjetrit se cilat rregulla dhe vizione elementare duhet zbatuar në jetë e në politik.

Shembuj të kësaj natyre shfaqen gati se gjithkund, nganjëherë edhe në nivelin parlamentar të Maqedonisë së Veriut, ashtu siç ndodhi edhe kohëve të fundit, ku një debat i ashpër u zhvillua për një rregull elementare procedurale, për një çështje kontestuese mbi një aspekt me të cilin nuk i ka hije të “humbë aq kohë” një institucion i këtij niveli.

Një çështje lidhur me një komision, e cila shpejt i morri përmasat e një “dialogu në mes të shurdhërve”.

Aq domethënëse kjo, pasi dëshmon fatkeqësisht klimën aktuale që mbizotëron brenda disa faktorëve politikë të vendit.

Shembuj të ngjashëm shfaqen shpeshherë, përsëriten dhe ripërsëriten. Ata duken se s’kan të ndalur. Një debat, një (pa) punë, e ç’veshur nga nevojat e komunikimit konstruktiv, duke qëndruar edhe shumë larg kompromiseve të domosdoshme.

Pa marrë parasysh kush ka të drejt, e kush është gabim. Por, duket se këto janë gjëra që normalisht mund të shmangen dhe të punohet ndryshe, a jo gjithmonë me temperamentin e së kaluarës, e me ideologjinë absurde për të ardhmen!

Ajo që bie në sy është fakti se shembujt e kësaj natyre nuk japin aspak përshtypjen se këto funksionime shpien në rrugën për me avancuar, për me kaluar në shkallë tjetër të reflektimeve dhe të punës, për me shkuar përpara.

Edhe reformat për ndryshime kushtetuese, edhe ata duket se janë të ngulfatura në ritmin e punës që i karakterizon kalkulimet tejet pak shpresëdhënëse.

Ndryshimet janë të vlefshme, por jo duke u munduar ndërkohë me bindur dikë se sendet kanë me “revolucionuar” në këtë shtet, pas ndryshimeve të pritura.

Dëgjohet këtu e aty se ndryshimet kushtetuese do ta drejtojnë Maqedoninë e Veriut drejtë Evropës, por edhe kjo nuk duket aq e qëndrueshme. Thuhet edhe ajo se ndryshimet do të sjellin përfitime dhe reforma të tjera, por edhe kjo nuk duket se është aq e vërtetë.

Thjesht nga arsyeja se shumë pak punohet për me i zgjedhur telashet e brendshme të vendit, para se të drejtohen sytë kah Evropa. Se është pikërisht kjo e fundit ajo e cila e kërkon këtë parakusht për shtetet që synojnë rrugën drejt familjes evropiane. Vallë, akoma nuk është kuptuar kjo!

Mungon angazhimi, shprehja e njëfarë reflektimi objektiv, konformë nevojave të kohës dhe të vendit, mungon puna konstruktive që duhet, dhe ajo që i nevojitet realisht vendit, ajo që i nevojitet qytetarit që është akoma në dilemë se a të largohet apo jo nga vendi, por pse jo edhe puna për me iu dhënë shpresë atyre që ndoshta do të dëshironin të kthehen sërish në vendin e vetë.

Ndodhin pra shumë gjëra, që për dikë duken normale, por realiteti na tregon se ndodhin shumë gjëra të tjera në këto drejtime, përveçse asaj që e quajmë normale!

Edhe shtimi i numrit të partive nuk duket se hapë një horizont shpresash. Do të ishte ndryshe nëse shtimi i numrit të tyre do të interpretohej si një vlerë e shtuar e diversitetit. Por e gjithë kjo që vërejmë nuk mund të interpretohet kësisoj, pasi që indikatorë të shumtë dëshmojnë atë se numri i partive është ndërtuar mbi themelet e konflikteve dhe pazarllëqeve që nuk integrohen aq lehtë në regjistrin e vlerave të diversitetit politik. Fatkeqësisht!
Shkruan: Lirim Begzati

Show More

Related Articles

Back to top button