Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga kryesia e komunikimeve të presidencës, në bisedë u diskutua për situatën humanitare në rajon, përpjekjet për sigurimin e qetësisë dhe hapat që duhen ndërmarrë në kuadër të konflikteve Izrael-Palestinë, dhuna e të cilës po rritet çdo ditë e më shumë.
Presidenti Erdoğan në bisedë është shprehur se shkeljet e të drejtave të njeriut kundrejt civilëve të pafajshëm në Gaza janë të papranueshme.
Duke theksuar se Türkiye po tregon përpjekje për t‘u dërguar ndihma atyre, Erdoğan tha se veçanërisht vendet perëndimore duhet të ndërmarrin hapa që ulin dozën e tensionit dhe se duhet të qëndrohet larg nga përpjekjet që nuk i shërbejnë paqes.
Erdoğan në bisedën telefonike me Macron tha se komuniteti ndërkombëtar duhet t’u kushtojë vëmendje propozimeve të Türkiyes për zgjidhjen e bazuar me dy shtete për eliminimin e problemit në mënyrë të përhershme dhe se në rast të një qasjeje të sinqertë mund të arrihet një zgjidhje e cila do të lehtësojë edhe rajonin edhe botën.