BotaLajme

Ballkani në një pako me Ukrainën e Moldavinë

E njëjta metodologji do të zbatohet për të gjitha vendet kandidate dhe kontributet do të maten në mënyrë të barabartë, tha drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Marko Makovec

Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e pakos së procesit të zgjerimit që përfshin Ukrainën dhe Moldavinë, tha drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Marko Makovec, në Konferencën e Sigurisë në Beograd që u hap dje. “Është krijuar një moment i ri për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Kjo mund të ndjehet edhe te krerët shteteve”, tha ai dhe shtoi se po bëhen gjëra konkrete për të siguruar para për zgjerim. “Qëllimi ynë institucional dhe në këtë drejtim përfaqësuesi i lartë (Joseph Borrel) më dha udhëzime – është që në të njëjtën pako të zgjerimit që do të përfshijë Ukrainën dhe Moldavinë, të përfshihet edhe Ballkani Perëndimor”, tha Makovec në panelin “Ukraina dhe Aleatët: Për të ruajtur një unitet të fortë”.

Siç raportojnë mediat serbe, ai ka bërë të ditur se BE-ja tani do të punojë shumë intensivisht në këtë qëllim strategjik dhe se kontributet e të gjitha shteteve kandidate për anëtarësim në BE do të maten njëlloj. “E njëjta metodologji do të zbatohet për të gjitha vendet kandidate”, sqaroi Makovec, duke theksuar se kushtet kyçe për zgjerimin e BE-së do të mbeten të njëjta, por se duhet të punojnë që të jenë më të shpejtë dhe më efikas. “Zgjerimi ekziston për ta bërë BE-në më të fortë,” tha ai.

Sipas nënpresidentit të fondit gjerman Marshall, Thomas Klein-Brockhoff, zgjerimi i ardhshëm i BE-së nuk do të jetë i ngjashëm me asnjë nga zgjerimet e mëparshme. Ai ngriti edhe pyetjen se si do të pozicionohet BE-ja ndaj anëtarësimit të një vendi që është në luftë dhe kufijtë e të cilit nuk janë të siguruara, por shtoi se nuk ka nevojë të flitet për një datë specifike të zgjerimit.

Fokusi i konferencës së sivjetme të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, me titull “Rindërtimi i (ç)rregullit global”, janë çështjet gjeostrategjike, siguria globale, zgjerimi i BE-së, lufta për demokraci, siguria kibernetike, të drejtat e njeriut, zgjidhja e konflikteve, lufta në Ukrainë dhe tranzicioni i gjelbër.

Show More

Related Articles

Back to top button