LajmeRajon

Ekspozitë në Srebrenicë për gratë që e ruajtën të vërtetën

Dy ditë para 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, është hapur ekspozita me fotografitë e grave që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ato kanë rrëfyer se mohimi, padrejtësia nga serbët për këtë masakër i ka nxitur edhe më shumë që ta hedhin në dritë të vërtetën e Srebrenicës

(AP) – Ishin ato që është dashur të jetojnë në botën në të cilën bashkëshortët, djemtë, vëllezërit, xhaxhallarët dhe nipat i kanë të masakruar. Janë ato që po luftojnë për të sjellë të vërtetën e masakrës para botës.

Roli vendimtar i grave në betejën e tyre të gjatë, që të mësohet sa më shumë për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, më në fund është njohur, teksa mijëra prej tyre kanë nisur të tubohen në qytetin lindor të Bosnjës për 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

Të shtunën, një ekspozitë e përhershme e portreteve të grave të Srebrenicës është hapur në qendrën përkujtimore të masakrës në Potoçari, në periferi të qytetit.

Të dielën është mbajtur konferenca ndërkombëtare e grave, të cilat kanë rrëfyer se si kanë gjetur forcën për të kërkuar drejtësi, pasi janë dëbuar nga shtëpitë dhe panë me sy vrasjen e më të dashurve të tyre.

“Në vitin 1995, pasi i mbijetova gjenocidit në të cilin m’u vranë fëmija im i dashur dhe bashkëshorti dhe kur vrasësit e tyre filluan të mohonin se unë kisha fëmijë; ishte padrejtësia e tyre, refuzimi i tyre për të pranuar atë që bën dhe për t’u penduar që më zgjuan vendosmërinë time, vendosmërinë e një nëne boshnjake për të mos u ndalur, për të mos u lodhur kurrë, për të mos lejuar askënd të më ndaloj që ta them të vërtetën”, ka thënë Munira Subashiq, e mbijetuara e masakrës së Srebrenicës.

Të afërmit e Subashiqit ishin në mesin e më shumë se 8 mijë burrave e djemve myslimanë, që për dhjetë ditë u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës. Gratë boshnjake dhe fëmijët me autobusë u dëbuan nga qyteti.

Pas përfundimit të luftës, Subashiq dhe gra të tjera me fatin e njëjtë u betuan se do të gjenin mbetjet e më të dashurve të tyre, do t’i kthenin në qytet dhe do t’i varrosnin.

Për ta bërë këtë, ato krijuan organizatën “Nënat e Srebrenicës”, që ka organizuar protesta dhe aksione të tjera me qëllim që Srebrenica të qëndronte në vëmendjen e publikut. Ato bën thirrje për gjetjen e varrezave masive, të identifikoheshin mbetjet dhe përgjegjësit e masakrës të dënoheshin. Sot (e hënë) janë varrosur mbetjet mortore të 50 vetave të tjerë, që kishin pësuar nga kjo masakër.

“Shpesh njerëzit na pyesin se kush na ka përkrahur, kush na nxiti që prej fillimit. Mirëpo nuk ishte askush, ne e bëmë këtë vetë”, ka thënë Sehida Abdurahmanoviq, e mbijetuara tjetër e masakrës së Srebrenicës.

Sot e asaj dite, pothuajse 90 për qind e të zhdukurve nga rënia e Srebrenicës janë gjetur. Në vitet e fundit, turmat e serbëve të Bosnjës e kanë bërë të pamundurën që grave t’u bllokoheshin rrugët drejt varrezave të reja masive. Për t’i poshtëruar edhe më shumë, serbët sulmonin me gurë autobusët me gra.

Më në fund, gjatë vitit 2003, autoritetet serbe të Bosnjës, pas presionit të madh, lejuan që të mbijetuarit të inauguronin varrezën memoriale për viktimat në Srebrenicë.

Deri më tani, mbetjet e më shumë se 6 mijë e 600 njerëzve janë gjetur dhe varrosur në varrezë.

Dhjetëra gra nga Srebrenica kanë dëshmuar në tribunalin për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, duke ndihmuar në dënimin e 50 zyrtarëve serbë të luftës. Krejt bashkë janë dënuar me 700 vjet burgim.

Mirëpo duke jetuar në shoqërinë patriarkale, gratë e Srebrenicës pritet të vuajnë në heshtje dhe të mos përballen me liderët serbë që vazhdojnë ta mohojnë masakrën e vitit 1995.

Në vend të kësaj, gratë ndryshuan jetën e tyre, duke krijuar grupe dhe duke rrëfyer përjetimet tek ata që ishin të gatshëm të dëgjonin, prej mbretëreshave, presidentëve, kryeministrave, diplomatëve dhe gazetarëve.

“Historia e asaj që ka ndodhur në Srebrenicë është shkruar në ata gurët e bardhë të varreve”, ka thënë Sinanoviq, e cila ka humbur burrin dhe 23 të afërm të tjerë.

Ajo ka thënë se autoritetet serbe të Bosnjës kanë nënvlerësuar gratë e Srebrenicës.

“Nëse, Zoti na ruajt, lufta do të shpërthente përsëri në Bosnjë, ndoshta serbët do t’i bënin gjërat ndryshe, duke i lënë burrat e gjallë dhe duke i vrarë gratë”, ka thënë Sinanoviq.

“Në vitin 1995, pasi i mbijetova gjenocidit në të cilin m’u vranë fëmija im i dashur dhe bashkëshorti dhe kur vrasësit e tyre filluan të mohonin se unë kisha fëmijë; ishte padrejtësia e tyre, refuzimi i tyre për të pranuar atë që bën dhe për t’u penduar që më zgjuan vendosmërinë time, vendosmërinë e një nëne boshnjake për të mos u ndalur, për të mos u lodhur kurrë, për të mos lejuar askënd të më ndaloj që ta them të vërtetën”, ka thënë Munira Subashiq, e mbijetuara e masakrës së Srebrenicës.

© KOHA.

Show More

Related Articles

Back to top button