BotaLajme

“Nuk ka paqe pa drejtësi”, protesta pro-Palestinës në Athinë

Qindra palestinezë që jetojnë në Greqi, parti dhe organizata të grupeve të majta dhe aktivistë mbështetës të çështjes palestineze, kanë protestuar në rrugët e Athinës duke marshuar drejt ambasadës izraelite për herë të tretë brenda 6 ditëve të fundit pas shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, raporton TopChannel.

Konflikt ky i shkaktuar nga sulmi i përgjakshëm i militantëve të Hamasit më 7 tetor, që la pas qindra të vdekur e të plagosur brenda territorit izraelit. Duke mbajtur në duar fotografi të viktimave të bombardimeve izraelite që pasuan , ata kanë hedhur parulla si  “Nuk ka paqe pa drejtësi, solidaritet me Palestinën dhe Asnjë bashkëpunim me shtetin terrorist të Izraelit “ dhe më pas kanë grisur flamurin izraelit.

Edhe njëherë zëdhënësi i qeverisë greke ka përsëritur pozicionimin e Greqisë e cila që në momentet e para ka deklaruar se qëndron përkrah Izraelit dhe është thellësisht e shqetësuar nga ky përshkallëzim i papranueshëm i dhunës.

“Qeveria greke dënon dhunën dhe terrorizmin kundër shteteve sovrane. Ne e njohim, siç e kemi theksuar sërish, të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por është e rëndësishme të parandalohet një krizë humanitare”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis.

Gjithashtu me një mbledhje të posaçme të Këshillimit të Sigurimit Athina zyrtare ka deklaruar se ka rritur masat e sigurisë si brenda qyteteve kundër terrorizmit ndaj objektive që lidhen me interesa Izraelite dhe amerikane , ashtu edhe në kufijtë e saj me Turqinë për të përballuar një shpërthim të mundshëm të fluksit të emigracionit për shkak të krizës së re në Lindjen e Mesme.

“Vendi ynë është plotësisht i përgatitur. Janë hartuar të gjitha planet e nevojshme të gatishmërisë. Νe do t’i mbrojmë kufijtë tanë nga flukset e emigrantëve të paligjshëm, gjithmonë duke respektuar të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkohë qeveria greke tregohet e gatshme që në se aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” në Tel Aviv mbyllet për arsye sigurie, aeroporti i Athinës “Eleftherios Venizelos” të kthehet në një nga qendrat e fluturimeve civile që do të përdoret nga Izraeli si për personat që duan të largohen nga vendi drejt Europës, SHBA dhe Kanadasë, ashtu edhe për ata izraelitë që duan të kthehen dhe të luftojnë.

Show More

Related Articles

Back to top button