LajmeMaqedoni

Fjalimi i kryeparlamentarit Xhaferi në Konferencën e lidershipit ballkanik me temë: “Integrimi i Ballkanit Perendimor në BE – sfidat dhe perspektivat”

Ndjej kënaqësi të veçantë që sot ju mirëpresim në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e shfrytëzoj rastin që t’ju përshëndes në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal.

Lidershipi Ballkanik dhe Klubi i Podgoricës e titullon këtë konferencë “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE – sfidat dhe perspektivat”, që s’do mend se është temë e cila akoma është prioriteti jonë si vende në Ballkanin Perëndimor. Tani akoma më shumë kur prej dite në ditë i dëgjojmë dhe i shohim zhvillimet destruktive në pjesët e ndryshme të kontinentit evropian dhe më gjerë.

Lufta në Ukrainë sikur e hapi derën për çrregullime në pjesë të ndryshme të botës dhe për fat të keq, jeta njerëzore kurrë nuk ka qenë më pak e çmuar se në këtë kohë. Edhe pse e dimë se njeriu, me të gjitha virtytet dhe mangësitë e veta, është qenia më e përkryer e cila në pjesën më të madhe të kohës e shfrytëzon në mënyrë të arsyeshme atë me të cilën është bekuar në jetë. Mirëpo, për fat të keq, po futemi në një periudhë kur arsyeja e shëndoshë mbetet dëshmitar memec i çnjerëzimit, kur mbisundon veprimi johuman mbi qeniet tjera të gjalla. Lajmet e rrejshme dhe të trilluara nxisin veprime akoma më të tmerrshme dhe në favor të prapaskenave të errëta. Nevojitet gjakftohtësi për të mbetur racional dhe objektiv në këtë kohë të bombardimeve informative.

Të dashur miq,

Ne në Ballkanin Perëndimor i kujtojmë sfidat me të cilat jemi përballur dhe akoma vazhdojmë të përballemi prej dite në ditë, dhe prandaj konferencat e këtilla ku i bashkërendisim aktivitetet dhe synimet tona të përbashkëta janë jashtëzakonisht të dobishme. Krahas bashkëpunimeve në çështjet strategjike, bashkëpunimi i ndërsjellë parlamentar është edhe një gur përforcues në sigurimin e mbijetimit dhe përparimit inkluziv të rajonit me përkushtim ndaj vlerave kryesore evropiane të demokracisë, sundimit të drejtës dhe të drejtave fondamentale. Unioni inter-parlamentar me të drejtë konkludon se “Deputetët kanë kuptim unik të diversitetit ndër njerëzit dhe janë në pozitë më të mirë për ti artikuluar aspiratat e njerëzve dhe të shpjegojnë se çfarë është me të vërtetë me rëndësi për to.” Dhe ky është parakusht për punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nëpër të gjitha vendet dhe parimin e saj kryesor për të mos lënë askënd prapa, që e bën Parlamentin një ndër partnerët kryesorë.

Pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit. Janë faktori fondamental për partnerët tanë dhe për ne si vende në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ardhmëria e gjithë rajonit është pikërisht në to. Dhe, kjo Konferencë është provë se ne si rajon, vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet popujve tanë, shteteve tona dhe tërë rajonit me Bashkimin Evropian. Kështu krijojmë hapësirë të bollshme për zhvillimin dhe avancimin e kësaj pjese të kontinentit duke u koordinuar për projekte të përbashkëta të filluara në kuadër të Procesit të Berlinit, Qëllimeve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara dhe politikave të Unionit.

Të nderuar,

Republika e Maqedonisë së Veriut punoi dhe vazhdon të punojë edhe më tej në drejtim të arritjes së përcaktimeve strategjike, respektivisht anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe NATO. Tani më jemi anëtar i plotfuqishëm në NATO dhe kontribuojmë krah më krah me aleatët tanë në përpjekjet për paqe në botë. Por për anëtarësimin në Bashkimin Evropian situata është ndryshe. Pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në dhe pas skriningut, jemi në pritje të mbajtjes së seancës së dytë ndërqeveritare e cila për fat të keq është e kushtëzuar me bërjen e ndryshimeve kushtetuese. Dhe, tani më shumë se kurdoherë nevojitet që vizioni për ardhmërinë e Evropës të shndërrohet në vepër, procesi i zgjerimit të fitojë në dinamikë ndërsa negociatat për anëtarësim të bëhen realitet. Zgjerimi i familjes evropiane me vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet investim strategjik në paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet, sidomos tani, në këtë situatë të paqes së brishtë në rajon.

Kolegë të nderuar,

Le të jetë kjo konferencë zëri i përbashkët i fuqishëm i rajonit për të zgjuar ndërgjegjen, përgjegjësinë dhe aksionin për një botë më të mirë dhe më të drejtë ku çdo qenie njerëzore vlerësohet dhe respektohet njëlloj.

Uroj punë të mbarë të Konferencës dhe Ju falënderoj për vëmendjen!

Show More

Related Articles

Back to top button