BotaLajme

BIDEN VIZITË NESËR NË IZRAEL

Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Izraelin të mërkurën për bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe do të bëjë të qartë se shteti hebre ka të drejtë të mbrohet, njoftoi sot Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Ai shtoi se pas bisedimeve të gjera me Netanyahun, Biden do të konfirmojë solidaritetin e SHBA me Izraelin.

Izraeli ka kërcënuar të shkatërrojë grupin e Hamasit që sundon Gazën pasi luftëtarët e grupit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1300 njerëz, kryesisht civilë.

Biden do ta bëjë të qartë se “Izraeli ka të drejtën dhe madje detyrimin për të mbrojtur popullin e tij nga Hamasi dhe terroristët e tjerë dhe për të parandaluar sulmet e ardhshme”, tha Blinken pas disa orësh bisedimesh me qeverinë ushtarake izraelite në Tel Aviv. Gjatë takimit, ai u detyrua të fshihej në një bunker për pesë minuta kur u dëgjuan sirenat.

Blinken tha se Izraeli do të informojë Biden mbi objektivat e tij ushtarake dhe se si do të kryejë operacionet.

“SHBA dhe Izraeli kanë rënë dakord të zhvillojnë një plan që do të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare nga vendet donatore dhe organizatat shumëpalëshe për të arritur tek popullsia civile në Gaza”, tha Blinken.

Pas vizitës në Izrael, Biden do të vizitojë Jordaninë, ku do të takohet me mbretin jordanez Abdullah II, presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.

Show More

Related Articles

Back to top button