Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është lënë në harresë nga partitë politike, pasi ata në mënyrë aktive janë duke menduar për datën e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Ndërsa partitë më të mëdha politike po mendojnë intensivisht për datat e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare, duket se çështja e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë mbetet në plan të dytë. Afatet që qeveria ka planifikuar për ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen deri në fund të vitit, kur pritet të përfundojë procesi i shqyrtimit të Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut.
Në ndërkohë, procesi për ndryshimet kushtetuese në Kuvend filloi më 18 gusht, por kryeparlamentari Talat Xhaferi e ndërpreu seancën, duke konsideruar se koalicioni qeverisës LSDM dhe BDI për momentin nuk arrin të të sigurojë shumicën e dy të tretave të nevojshme për hapjen e Kushtetutës. Në këto kushte, gjatë kësaj periudhe nisën luftimet e ashpra zgjedhore dhe sipas deklaratave të pushtetit dhe opozitës, tashmë është e domosdoshme arritja e një konsensusi për datën e zgjedhjeve.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski , ndonëse edhe këtë fundjavë përsëriti qëndrimin e partisë në pushtet LSDM se zgjedhjet duhet të mbahen në kohë të rregullt, ai theksoi se është e mundur që në Kuvend të diskutohet se kur do të mbahen ato. “Unë mendoj se përfaqësuesit e partive politike duhet të ulen këtu në nivel pune dhe të diskutojnë detajet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski konsideron se nuk ka nevojë për mbledhje lidershipi, sikurse lideri i BDI-së, Ali Ahmeti , i cili është partneri i tij në koalicion në Qeveri. Ahmeti ka thënë më 10 tetor se zgjedhjet parlamentare nuk janë zgjidhje për momentin.
Për këtë, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, u përgjigj se pranon krijimin e grupeve punuese që do të dakordohen për datën e zgjedhjeve. “Nuk ka problem, ne pranojmë të gjitha, le të jetë në Kuvend, grupet punuese le të ulen të bisedojnë”, tha Mickoski i cili kërkon takim të liderëve për të përcaktuar datën e zgjedhjeve, pasi janë duke u diskutuar nëse presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen veçmas ose në të njëjtën kohë.
Analisti Blerim Hyseni, për gazetën KOHA ka deklaruar që përpjekjet për sigurimin e shumicës së nevojshme për ndryshimet Kushtetuese ende nuk janë shterur dhe sado që duket se janë lënë anash ato vazhdojnë heshturazi duke përdorur edhe ndikimin e një pjese nga diplomacia e huaj që të arrihet deri te ndryshimet e nevojshme.
“Fatkeqësi do të jetë sikur ky proces të mbetet në përbërjen e ardhshme parlamentare sepse do të lëshohet mundësia e fillimit te negociatave me BE dhe Maqedonia do të mbetet jashtë mundësisë që ato t’i fillojë së bashku me Shqipërinë dhe nga ana tjetër përbërja e re parlamentare mund të jetë me të pa pritura të tjera që optimizmin te përfaqësuesit e BE-së për nxitjen e procesit euro integrues do ta zvetënojnë edhe më tepër si pasojë ndoshta vendi ynë do të mbetet në histori për pritje të fillim të negociatave të BE-së me një vend asocues”, ka deklaruar Hyseni, analist.
Ai në fund ka vlerësuar që ende ka hapësirë që Maqedonia e Veriut të mos bie ne skenare të zymta por që në fund të arrihet të bëhen ndryshimet kushtetuese me qellim që të hapërojë bashkë me Shqipërinë në rrugën e negociatave për anëtarësim.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi tha se do të thërrasë mbledhjen e lidershipit nëse ka marrëveshje mes palëve. “Nëse ka bisedime, ato duhet të përfundojnë më së voni deri në fund të vitit. Gjithçka pas kësaj do të thotë ecuri e afateve dhe procedurave të parapara me ligj dhe Kushtetutë për zgjedhjet e rregullta”, tha Xhaferi.
Sipas afateve ligjore, zgjedhjet e rregullta presidenciale duhet të mbahen deri në prill të vitit 2024 dhe zgjedhjet parlamentare në korrik të vitit të ardhshëm.