Terrori i Hamasit kundër Izraelit dënohet ashpër, Izraelit njëkohësisht i tërhiqet vëmendja. Procesi i paqes në Lindjen e Mesme duhet të rigjallërohet, kërkon Parlamenti i BE-së.
Mesazhi nga Parlamenti Europian në Strasburg ishte i qartë. Të gjithë grupet parlamentare dënojnë sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit. Njëkohësisht deputetët pak a shumë i përmbahen fort kërkesës, që Izraeli mundësisht të mos vrasë apo të rrezikojë civilë gjatë mbrojtjes së tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës. E drejta ndërkombëtare duhet respektuar. Të afërmit e pengjeve, që u rrëmbyen dhe mbahen në Gazë prej Hamasit, ndodheshin në sediljet e publikut në Parlamentin Europian. Parlamenti kërkoi lirimin e menjëhershëm të të të gjithë pengjeve. Disa referues tërhoqën vëmendjen, se lufta e shpallur nga Izraeli kundër Hamasit e ka rritur rrezikun e terrorit në BE. Sulmet në Francë dhe në Belgjikë janë dëshmia e parë, që terrori islamist po ktheht në Europë.
Von der Leyen: Sulmi ndaj spitalit duhet zbardhur
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e dënoi goditjen e një spitali në qytetin e Gazës, ku si pasojë të martën (17.10) në mbrëmje humbën jetën disa qindra vetë. “Nuk ka shfajësim për goditjen ndaj spitalit plot me civilë”, tha Ursula von der Leyen. Tani duhet të zbardhet, se kush është përgjegjës për sulmin. Të gjitha faktet duhet të shtrohen në tryezë.
Milicët terroristë të Hamasit akuzojnë Izraelin. Ushtria e Izraelit konsideron, se është një nisje e gabuar rakete e grupit terrorist islamik Xhihad shkaku i shkatërrimit të spitalit. Raketat e Xhihadit në fakt synonin të godisnin Izraelin.
Kritikë në adresë të von der Leyenit
Presidentja e Komisionit të BE-së, e cila ditët e fundit është kritikuar nga deputetët si shumë e njëanshme në favor të Izraelit, ritheksoi, se BE qëndron në anën e Izraelit. BE-ja duhet ta pranojë të drejtën e këtij vendi për t’u vetëmbrojtur. Vetëm pasi ta bëjë këtë mund edhe të kërkojë me kredibilitet, se Izraeli duhet të veprojë në mënyrë demokratike dhe në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, tha von der Leyen.
I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, e dënoi terrorin e Hamasit, por edhe tërhoqi vëmendjen, se duhet të mbrohen civilët në Rripin e Gazës.
Kryetarja e grupit të socialistëve në Parlamentin e BE-së, spanjollja Iratxe García Pérez, e kritikoi presidenten e Komisionit, se gjatë vizitës në Izrael shprehu solidaritetin e saj, por harroi t’i kujtojë kryeministrit izraelit se krimi nuk mund të luftohet me krim. BE duhet të japë ndihma humanitare dhe të angazhohet si ndërmjetësues për vendosjen e armëpushimit.
Weber: “Edhe Europa është sulmuar”
Kryetari i grupit të demokratëve, Manfred Weber, i cili si edhe Ursula von der Leyen i përket një partie konservatore në Gjermani, e mbështeti vizitën e presidentes së Komisionit në Izrael. “Izraeli është sulmuar, por edhe Europa është sulmuar, sepse është sulmuar stili europian i jetesës. Izraeli pas Holokaustit ishte premtimi ndaj popullit hebre, se atje mund të jetojë në siguri dhe në paqë. Ndërsa tani u zvarritën prej shtëpive të tyre të dhe u morën peng”, tha Manfred Weber. Ai kërkoi gjithashtu, që duhet të ndalohen menjëherë mesazhet e urrejtjes në rrjetet sociale të koncernit Meta dhe në platformën X. Është e pabesueshme, që atentatori i Brukselit, ka mundur të shpërndajë atje mesazhet e veta, pasi kishte vrarë dy suedezë.
Deputeti i ekologjistëve Philippe Lamberts nga Belgjika, tha se asgjë nuk mund t’i justifikojë aktet barbare të Hamasit. Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë qytetarët e vet. “Por kjo nuk do të thotë, se ai ka të drejtë për hakmarrje”, tha Lamberts. Nuk duhet të ketë ndëshkim kolektiv për palestinezët. Zgjidhja me dy shtete duhet të ndiqet sërish për një proces paqeje. Nuk mund të ketë paqe për aq kohë sa ekziston Hamasi. Nuk mund të ketë paqe, për aq kohë sa janë të pushtuara territoret palestineze.
Politikani i majtë e akuzon Izraelin për “gjenocid”
Deputeti spanjoll, Manu Pineda kryetar i delegacionit parlamentar për palestinezët akuzoi qeverinë e Izraelit, se është një “regjim” që po bën gjendocid dhe po e shndërron rripin e Gazës në një “geto të re të Varshavës”. Për këtë eurodeputetit iu hoq e drejta e fjalës nga presidentja e parlamentit.
Referuesit e grupeve populiste të djathta paralajmëruan, se BE po lejon të hyjnë terroristët si migrantë dhe azilkërkues. Janë të nevojshme më shumë kontrolle. Deputeti Herman Tertsch nga partia spanjolle e ekstremit të djathtë Vox e cilësoi Gazën si një “gropë plot urr ejtje”. “Këta njerëz ne i sjellim në Europë”, kritikoi Tertsch. /DW/