Pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit dhe reagimit izraelit, ministrat e Jashtëm të BE e kanë të vështirë të gjejnë një përgjigje të përbashkët. Tani e kanë radhën krerët e shteteve dhe qeverive të BE.
Ndalimin e shkëmbimit të zjarrit për arsye humanitare do ta mbështesnin patjetër vendet anëtare të BE, është i mendimit, i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell. Një armëpushim i tillë duhet që të sillte ndihmat humanitare në Rripin e Gazës dhe popullsia civile të vendoset në siguri. Për këtë u konsultuan të hënën ministrat e Jashtëm të BE. Pozicionin përfundimtar do ta vendosin krerët e shteteve dhe qeverive të BE në takimin e tyre në Bruksel në fund të javës, theksoi Borrell. Konsensusi bazik është i mundur edhe pas takimit të ministrave të Jashtëm, edhe pse nuk pati një miratim formal, sipas Borrell.
BE e ka të vështirë gjetjen e një qëndrimi të përbashkët
BE e konsideron organizaten militante palestineze si terroriste, ashtu si Izraeli, SHBA, Gjermania e vende të tjera. Që nga 7 tetori, kur Hamasi sulmoi Izraelin në mënyrë masive terroriste, BE e ka të vështirë të gjejë një pozicion të përbashkët. Dy ditë pas sulmit të papritur të Hamasit u vunë re paqartësi, nëse dhe nëse po cilat ndihmat humanitare do të ndërpriteshin për zonat palestineze. Edhe ideja e ndalimit të përkohshëm të goditjeve apo një armëpushimi për arsye humanitare nuk gjen kudo mbështetje tek vendet anëtare. Po e paqartë mbetet, se ku është dallimi mes këtyre të dyjave.