BotaLajme

BE-ja bën thirrje për dhënien e dozës së dytë përforcuese kundër COVID-19

Bashkimi Evropian tha më 11 korrik se është “kritike” që autoritetet në 27 shtetet e bllokut të shqyrtojnë mundësinë e dhënies së dozës së dytë përforcuese për të gjithë personat nga mosha 60 deri në 79 vjeç, por edhe për kategori të tjera të ndjeshme, përderisa vala e re e pandemisë po godet kontinentin.

“Me rritjen e infektimeve dhe hospitalizimeve teksa ne hyjnë në periudhën e verës, u bëj thirrje të gjithëve të vaksinohen dhe të marrin dozat përforcuese sa më shpejt që të munden. Nuk ka kohë për të humbur”, tha komisionarja evropiane për Shëndetësi dhe Siguri të Ushqimit, Stella Kyriakides.

Qendra Evropiane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (ECDC) dhe Agjencia Evropiane për Ilaçe thanë se doza e dytë përforcuese mund të administrohet te personat që kanë marrë dozën e parë përforcuese para të paktën katër muajve.

Ky rekomandim vjen pasi këto dy agjenci rekomanduan në prill që për personat mbi 80 vjeç të konsiderohej dhënia e dozës së dytë përforcuese.

“Teksa vala e re aktualisht po përhapet në Evropë dhe po shoqërohet me rritjen e hospitalizimeve dhe shtrimeve në njësitë e kujdesit shëndetësor, është kritike që autoritetet e shëndetit publik tani të konsiderojnë që qytetarët ndërmjet 60 dhe 79 vjeç, por edhe ata më të ndjeshëm, të marrin dozën e dytë përforcuese”, thanë këto dy agjenci përmes një deklarate.

Drejtoresha e ECDC-së, Andrea Ammon, tha se vala e re e pandemisë po nxitet nga mutacioni shumë i transmetueshëm BA.5 i variantit Omicion të koronavirusit.

Rekomandimi i BE-së vjen teksa shkencëtarët janë të shqetësuar edhe për mutacionin tjetër të Omicronit, të quajtur BA2.75, që është përhapur në Indi, por edhe në shtete të tjera.

Shkencëtarët besojnë se ky variant i ri mund të përhapet më shpejt dhe mund të shmangë mbrojtjen që ofrojnë vaksinat apo infektimet paraprake. Ende është e paqartë nëse ky mutacion shkakton sëmundje më të rëndë sesa variantet paraprake të Omicronit.

 

Show More

Related Articles

Back to top button