BotaLajme

Izraeli thellon sulmin ushtarak në veri të Rripit të Gazës

Trupat izraelite dhe autoblindat kanë hyrë më thellë në veri të Rripit të Gazës më 30 tetor, duke arritur në zonat e banuara. Ndërkaq, Kombet e Bashkuara dhe stafi shëndetësor kanë paralajmëruar se sulmet ajrore po godasin më afër spitaleve, ku dhjetëra mijëra palestinezë janë strehuar dhe ku po trajtohen mijëra të plagosur.
Intensifikimi i operacioneve tokësore u bë një ditë pasi 33 kamionë me ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera hynë në Gazë nga Egjipti.

Kjo është ndihma më e madhe humanitare që është dërguar në Rripin e Gazës që kur ka nisur lufta ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Por, punëtorët e ndihmës thanë të hënën se megjithatë ndihma nuk është e mjaftueshme për nevojat në Gazë, që është nën rrethim për javë të tëra.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar shifrën prej 8.000. Kjo ministri tha se shumica e viktimave janë gra dhe të mitur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se ka nisur “faza e dytë” e luftës, pasi Hamasi nisi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1.400 persona, shumica civilë.

Në një video të publikuar të hënën nga ushtria izraelite shiheshin autoblinda duke lëvizur në mesin e ndërtesave në veri të Gazës dhe ushtarët duke u vendosur në pozicione brenda një shtëpie. Lokacioni i saktë se ku është incizuar videoja nuk dihet, por pamjet e publikuara të shtunën nga ushtria tregonin trupat duke ecur nëpër zona të zbrazura afër kufirit në veri të Gazës.

Ushtria izraelite tha të hënën se gjatë natës trupat e saj kanë vrarë dhjetëra militantë që sulmuan nga brendësia e ndërtesave dhe tuneleve, duke shtuar se sulmet ajrore kanë shkatërruar një ndërtesë që po e përdorte Hamasi. Po ashtu, ushtria tha se në ditët e fundit ka shënjestruar mbi 600 caqe militante, përfshirë depo të armëve dhe pozicione të raketahedhësve. Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se militantët janë përleshur me armë të vogla dhe raketa kundërtanke me trupat izraelite që hynë në veriperëndim të Rripit të Gazës. Militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa në Izrael, përfshirë një drejt Tel Avivit.

Linjat e komunikimit janë rikthyer për shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës të dielën, pasi për më shumë se një ditë ata mbetën pa shërbime të telekomunikacionit dhe internetit, pas bombardimeve të ashpra.

Izraeli tha se shumica e banorëve të Gazës i janë bindur urdhrit të tij për t’u larguar në pjesën jugore të territorit të rrethuar, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, pjesërisht për shkak se Izraeli po ashtu po sulmon në zonat e ashtuquajtura të sigurta.

Show More

Related Articles

Back to top button