LajmeMaqedoni

Nxënësit e stërngarkuar me libra, thonë arsimtaret në Maqedoni

“Çantat e nxënësve, sidomos të atyre të klasave të ulëta, janë shumë të rënda, pasi janë të stërngarkuara me mësime. Ngarkesa e tepërt ndikon në humbjen e interesimit të nxënësve për të mësuar, thonë punëtorët arsimorë”.

Nxënësit ankohen se përveç çantave, edhe planprogramet mësimore janë të stërngarkuara.

“Jam klasa e dytë, kemi shumë lëndë për të mësuar”, shprehet nxënësi.

“Kemi shumë detyra”, theksoi nxënësi.

“Kemi shumë libra”, shprehet nxënësi.

“E kemi çantën shumë të rëndë, sepse ka shumë libra dhe bëjmë shumë detyra”, theksoi nxënësi.

“Kemi shumë lëndë mësimore”, shprehet nxënësi.

“Shumë shumë mësime, gati çdo ditë kemi teste, nota, tani ka ardhur tremujorëshi, nuk e di, kemi shumë ngarkesë”, theksoi nxënësi.

“Lëndët janë shumë të rënda. Në shkencë kemi disa mësime që i mësojnë vetëm klasët e nënta, pandaj janë shumë të rënda për ne që sapo kemi dalë në klasën e gjashtë”, shprehet nxënësi.

“Po, kemi shumë ngarkesa, për shembull në matematikë”, theksoi nxënësi.

Prindërit: derisa u ndihmojmë fëmijëve, në disa raste as ne nuk i kuptojmë mësimet

Edhe prindërit thonë se fëmijët janë të mbingarkuar, e madje kanë vështirësi edhe ata t’i kuptojnë disa mësime.

“Po, janë të mbingarkuar pak. Kanë shumë, pastaj kërkojnë edhe ndihmën tonë në shtëpi, mirëpo edhe ne nuk i kemi të qarta disa mësime që janë aktualisht. Po flas për fëmijën që e kam në klasë të tretë, sepse këta të mëdhenjtë nuk mund t’i ndihmoj. Ai që është në klasën e tretë ka shumë probleme”, shprehet prindi.

Mësuesja: Ka gjëra të paqarta për moshën e nxënësve

Edhe mësuesja, Refkije Sherifi, mendon se nxënësit janë të stërngarkuar me mësime dhe me librat me të cilat shërbehen ata.

 “Për këto gjenerata që vijnë më vjen shum keq, janë shumë të ngarkuar, ka gjëra të paqarta që fëmijës t’i thuash ta mësojë, p.sh. ta lexojë dhe mësojë përse bëhet fjalë. Joverbale – verbale, këta janë fëmijë gjashtë vite e gjysmë. Unë mund t’ia tregoj verbale – joverbale, por ai nuk e kupton se çështë”, theksoi Refkije Sherifi – mësuese në SH. F. “Ismail Qemali”.

Psikologia: Me marrjen e përgjegjësive, nis stresi te fëmijët

Psikologia, Edlira Destani, thotë se me fillimin e obligimeve shkollore, fëmijët e moshave të vogla i kaplon stresi, prandaj nevojitet ndihma e prindërve dhe arsimtarëve.

“Moshat e vogla nga vet fjala mosha të vogla, normalisht që e kanë një proces të ri faktin që duhet të shkojnë të përgaditur në shkollë dhe momentin kur duhet të mbajnë përgjejgësi për të gjitha këto gjëra që duhet të bëjnë, çdo veprim që do ta shkruajnë. Deri në moshë pak më të hershme çdo gjë të këtyre aktiviteteve e kanë të klasifikuar si lojë. Ndërsa tani duhet vërtetë një përgjegjësi më e madhe. Fëmija është në një stres të vazhdueshëm. varësisht se si e interpretojnë prindërit këtë lloj ngarkese në detyrat e tyre, apo se si iu komunikohet nga ana e arsimtarëve”, u shpreh psikologja Edlira Destani.

Byroja për zhvillimin e arsimit: Në realizim e sipër reformat në arsimin fillor

Ndërkohë, nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit thonë se në realizim e sipër janë reformat, të cilat duhet ta përfshijnë të gjithë ciklin arsimor.

“Këtë vit shkollor filluam me implementimin e programeve të klasës së gjashtë dhe gjithsesi na duhen edhe dy vite të tjera që të fillojmë me implementimin e programeve deri në klasën e fundit të arsimit fillor. Me këtë do ta mbulojmë të gjithë ciklin e reformave, gjegjësisht të programeve të reja mësimore. Me atë do të jemi në gjendje të bëjmë një hulumtim më të madh e të shikojmë evaluimin, e me atë të shikojmë se sa janë arritur qëllimet tona që arsimin ta kemi të përshtatur, gjegjësisht arsim i cili në qendër e ka vet nxënësin”, theksoi Ajshe Ajrullai – udhëheqëse sektori në Byronë për Zhvillimin e Arsimit.

Arsimtarët edhe psikologët rekomandojnë që të mbahet llogari për stërngarkimin e nxënësve, sidomos të moshës së vogël, sepse ata vijnë nga lodrat dhe ngarkesa e menjëhershme mund të ndikojë në humbjen e interesimit për mësim, apo edhe të shkaktojë shqetësime shëndetësore.

Show More

Related Articles

Back to top button