Demokratët ia dolën të sigurojnë disa fitore të rëndësishme në zgjedhjet e së martës në nivel shtetëror, ku një nga çështjet në fletët e votimit ishte dhe ajo e abortit. Zgjedhësit në Ohajo votuan në shumicë për të ndryshuar ligjin e shtetit, duke garantuar të drejtën për abort, pas kufizimeve që nxiti në këtë drejtim, një vendim i marrë një vit më parë nga Gjykata e Lartë.
Në Kentaki, Guvernatori demokrat Andy Beshear u rizgjodh sërish në këtë detyrë, pasi e përqëndroi fushatën tek qasja ekstreme që kundërshtari i tij, kishte ndaj abortin.
Në Virxhinia organi legjislativ do të jetë plotësisht nën kontrollin e demokratëve, duke u dhënë atyre mundësinë të bllokojnë përpjekjet e republikanëve të këtij shteti që miratojnë kufizime të reja ndaj abortit, çka shihet si një goditje për Guvernatorin republikan Glenn Youngkin. Këto zhvillime ofrojnë një pamje të terrenit politik në SHBA përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen vetëm një vit larg zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, demokratët dhe mbrojtësit e të drejtave të abortit siguruan një sërë fitoresh në zgjedhjet e së martës në disa shtete.
Votuesit e Ohajos miratuan një amendament në ligjin themelor të shtetit që garanton qasjen tek aborti dhe tek forma të tjera të kujdesit shëndetësor riprodhues.
“Aborti është kujdes shëndetësor dhe qasja tek aborti është një e drejtë që garantohet nga ligji themelor i Ohajos. Sonte banorët e këtij shteti u bashkuan për të drejtat riprodhuese dhe vendosën veten e tyre sërish në krye të vendimeve për shtatzëninë dhe abortin”, tha Lauren Blauvelt, Drejtore Ekzekutive e Organizatës për Planifikim Familjar në Ohajo.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të vitit të kaluar të Gjykatës së Lartë të vendit, që rrëzoi një vendim të vitit 1972, njohur si çështja “Roe kundër Wade’, e cila kishte ofruar për dekada mbrojtje kushtetuese të së drejtës për abort.
Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lartë, Ohajo ishte një prej disa shteteve ku aborti u ndalua me ligj.
Të martën në shtetin e Kentakit, Guvernatori demokrat Andy Beshear u rizgjodh sërish në këtë detyrë falë një fushate përqendruar tek e drejta për abort, pas një ndalimi pothuajse total në nivel shtetëror të abortit.