LajmeMaqedoni

A duhet vërtetë që Kryetari i shtetit të jetë shqiptar ?

Kaluan mbi tre dekada të tëra, e u zgjodhën ministra, deputetë, zëvendës-ministra, drejtorë, shefa, përgjegjës sektorësh, e shumë të tjerë, në poste për të cilat shpesh është shprehur lakmi me i pasur, në emër të origjinës e identitetit etnik apo nacional, por sidomos edhe në emër të njëfarë politike dhe interesi partiak.

Në këto tre dekadat e fundit, duket se nuk mungoi asnjë nga postet e rëndësishme për me i shijuar nga protagonistët politikë, të cilët shpeshherë e kanë shprehur premtimin e tyre se, përmes përkushtimit dhe posteve të tyre, synohet një mirëqenie e këtij vendi dhe populli, sidomos në dobi të bashkësisë etnike apo nacionale të cilën e përfaqësojnë.

Në këto tre dekadat e fundit, në mesin e tyre, ndoshta u zgjodhën në postet e përmendura edhe persona që sot janë të detyruar të shëtisin rrugëve apo të punojnë diku në hapësirat e Evropës, pasi me kalimin e kohës e panë se në vendin e tyre nuk munden me e arritur atë që e shpresonin fillimisht apo që dikush iu premtoi.

Në këto tre dekadat e fundit, u krijuan disa kushte, kjo nuk mund të mohohet, por ajo që sot më së tepërmi bie në sy është shprehja e dëshirës nga një pjesë e madhe e popullatës për kërkimin e kushteve për me u larguar nga vendi dhe me shkuar diku tjetër, diku larg vendit të vet të origjinës.

Largohet rinia, largohet gjithë ajo shtresë e popullsisë e cila me plotë arsye mund të cilësohet si shtylla kryesore që do të mund dhe do të duhej t’ia hapte vendit rrugën e perspektivave. Një fatkeqësi e madhe!

Pas gjithë këtyre dekadave, jo papritmas u shfaqë tani edhe interesimi për postin e kryetarit të shtetit. Pse jo, por konteksti duket sadopak kompleks, në këto kohëra kur janë duke u paraqitur shumë gjëra të çuditshme, përveç konsensuseve në mes të akterëve të rëndësishëm të politikës së këtij vendi.

Në këto kohëra kur shkalla e polarizimit i ka tejkaluar kufijtë e shumtë, deri në atë masë sa që vështirë sot me i ra në fije se ku mund të gjenden pikat e përbashkëta të pajtimit, për me gjetur kështu edhe një gjuhë të përbashkët, për me avancuar bashkërisht në drejtimin e reformave të duhura dhe të mirëqenies së interesit të gjithmbarshëm.

Janë pikërisht edhe postet, siç është ai i kryetarit të një shteti, të cilat i kërkojnë disa parakushte para se të bëhen premtime dhe kalkulime të cilat duket se më tepër e mbajnë ngjyrën e njëfarë politike të ditës se sa të vullnetit real për me avancuar një status të caktuar në shoqëri.

Sa janë të vlefshme këto kalkulime në këto kohëra, ku siç duket, sipas një vizioni largpamës, me plotë arsye do të shprehej njëfarë reflektimi mbi atë se cilat do të duhej të ishin sot prioritetet kryesore të akterëve politikë.

Këtij vendi nuk i mungojnë postet dhe llogaritë politike për poste, por i mungojnë llogaritë tjera për të cilat kanë realisht nevojë njerëzit e vendit.

Këtij vendi i mungojnë rregullat e konsensusit dhe kompromiset politike, i mungojnë programet e mirëfillta ekonomike, politikat sociale, kushtet për mirëqenie, dhe shumë kushte të tjera, thjeshtë kushtet kryesore për me e shmangur nevojën dhe shijen për me u larguar nga vendi i vetë.

Natyrisht se është e arsyeshme që të bëhen reflektime dhe propozime për mbrojtjen e interesave të caktuara, në emër të mbajtjes së njëfarë ekuilibri të drejtë në vend, në emër të respektimit të domosdoshëm të parimit të barazive.

Por ajo që bie më së tepërmi në sy dëshmon se më tepër flitet për poste dhe për ambicie karrieriste, se sa për punë konkrete që ka realisht nevojë njeriu i këtij vendi.

Në kontekstin aktual, po të imagjinonim një kandidat kryetar shteti nga pozita apo opozita, i propozuar nga një parti apo tjetër, nga blloku i njërës parti nacionale apo etnike, apo nga blloku i të tjerëve? Përse jo “presidenti ynë”, e përse “i juaj”, kjo pyetje aq konfliktuale nuk do të vonohet të shfaqet në debatet tashmë të zakonshme të akterëve tanë politikë. E gjithë kjo ndodhë pikërisht për arsyet e lartcekura.

Pas gjithë këtyre “lojërave” të pafundëta, duket se tepër e më tepër shtohet ndërkohë numri i atyre personave në mesin e popullatës që janë skajshmërish të dëshpëruar, dhe që janë të fokusuar në atë që ky vend të avancoj, të cilët kërkojnë që të anashkalohen gjithë ato pazarllëqe politike tashmë tradicionale dhe të cilat, për disa aspekte, e mbajnë ngjyrën e një politike që ndoshta i kishte hije para disa dekadave, e jo sot.

Me fjalë të tjera, duket se politika dhe njeriu i dëshpëruar që i përcjellë me vëmendje këto ngjarje nuk i ndjekin domosdo të njëjtat binare, pasi disa luftojnë për poste e për qeveri, e dikush tjetër lufton për mbijetesën apo për gjetjen e zgjidhjes për me u larguar nga vendi.

Vendi ka pra nevojë më tepër për diçka tjerë, se sa për poste e premtime.

Vallë, a duhet vërtetë që Kryetari të jetë shqiptar, maqedonas, romë, turk ?

Lirim Begzati, ekspert juridik, Neuchâtel (Zvicër)

Show More

Related Articles

Back to top button