LajmeRajon

A e shkeli Kosova Marrëveshjen e Washingtonit kur aplikoi në KE, deklarohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit

Kosova edhe zyrtarisht e ka dorëzuar dje aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KE presidenti serb, Aleksadër Vuçiq po e cilëson si shkelje të marrëveshjes së Uashingtonit.

Disa minuta pasi Qeveria e miratoi në parim nismën për anëtarësim, Vuçiqi iu drejtua mediave duke iu thënë se “e prishën” marrëveshjen, referuar Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe nga DASH kanë thënë se Kosova dhe Serbia janë vende sovrane që kanë të drejtë të vendosin prioritetet e tyre të politikës së jashtme.

“Kosova dhe Serbia janë vende sovrane që kanë të drejtë të vendosin prioritetet e tyre të politikës së jashtme”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit duke aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Me marrëveshjen e nënshkruar në shtator  të vitit 2020, Serbia dhe Kosova u angazhuan në dokumente të veçanta për bashkëpunim ekonomik, por edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Pjesë e marrëveshjes ishte një moratorium një vjeçar ndaj Kosovës që të mos aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe Serbisë që të përmbahej nga një fushatë diplomatike për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Moratoriumi skadoi më 4 shtator 2021.

“Moratoriumi ishte krijuar për të zgjeruar hapësirën për bisedë dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, që ne besojmë se është në interesin strategjik të të dy vendeve.

“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, është vendimtar për të dy vendet për të zhbllokuar të ardhmen e tyre evropiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrjen e tyre urgjente, fleksibël dhe serioze në këtë proces.”, thuhet në përgjigjen e DASH.

Për shkak të kërkesës së Prishtinës zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë ka caktuar seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për sot në ora 11:00./Reporteri.net/

Show More

Related Articles

Back to top button