LajmeRajon

Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte kundër popullsisë shqiptare

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj një serbi me iniciale Ç.J, i cili dyshohet për veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’ në rajonin e Istogut.

Sipas Prokurorisë kjo vepër sanksionohet me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“I pandehuri Ç.J, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri me 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e torturimit ndaj personave civil, të dëmtuarve Z.M, N.F dhe N.C.”, thuhet në njoftimin  e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë, të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë, në paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës”, thuhet  tutje në njoftim. 

Ndryshe në luftën e fundit  në Kosovë, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Show More

Related Articles

Back to top button