LajmeMaqedoni

Analfabetizmi vazhdon të dominojë në Maqedoninë e Veriut!

Niveli i analfabetizmit në një vend përcakton edhe të ardhmen e atij vendi. Sa më i lartë niveli i analfabetizmit sot aq më i lartë është rreziku për të ardhmen prosperuese të vendit. Maqedonia e Veriut numëron rreth 19 mijë analfabetë në të gjithë vendin që nuk dinë as shkrim dhe as lexim. Sipas ESHS-së, janë regjistruar 18.897 ose 1.2% analfabetë. Në mesin e analfabetëve janë 5.517 burra dhe 13.380 janë gra. Por cilat janë shkaqet kryesore që sjellin deri në këtë gjendje që numri i analfabetëve të jetë kaq i lartë? Pastaj nuk dihet se cilës etni i përkasin e nga cilat rajone vijnë këta qytetarë. Përpos kësaj kjo është shifra reale për personat e regjistruar që nuk dinë shkrim dhe lexim, por mbetet ende i pa njohur numri i analfabeteve të pa regjistruar Sipas ekspertëve arsyet e analfabetizmit zakonisht lidhen me faktorët ekonomik dhe social, si dhe me traditën e shkollimit. Por, mbi të gjitha janë shifra të larta dhe shqetësuese për një vend që pretendon të bëhet anëtarë në BE, shkruan Zhurnal.

Numri i analfabetëve në RMV shumë i lartë, shifra shqetësuese –

Fjala analfabet më tepër përdoret në konotacion ofendues se sa sqarues e shpjegues të një fenomeni e dukurie reale. Mirëpo ja që realisht sipas Entit për Statistika në vendin tonë ka mbi 18 mijë analfabet të regjistruar që nuk dinë shkrim dhe lexim. Ajo që ngjallë kureshtje nga kjo shifër e lartë është se nuk dihet nga cilat rajone vijnë këta qytetarë, cilës etni i përkasin dhe cilat janë shkaqet që ata kanë ngelë të tillë. Është e rëndësishme etnia dhe rajoni nga vijnë për faktin se mund të jenë lënë pas dore, ose janë të shtypur e nuk kanë qasje deri në institucionet arsimore. Pastaj, gjendja socio-ekonomike është faktor po ashtu i rëndësishëm se nëse flasim për një grup qytetarësh që janë të margjinalizuar me doemos duhet të merren masa për trajtim.

Maqedonia e Veriut numëron rreth 19 mijë analfabetë në të gjithë vendin që nuk dinë as shkrim dhe as lexim. Sipas ESHS-së, janë regjistruar 18.897 ose 1.2% analfabetë. Në mesin e analfabetëve janë 5.517 burra dhe 13.380 janë gra.

“Këto të dhëna statistikore nuk do të thotë se duhet të merren me saktësi të plotë por megjithatë, janë një tregues i rëndësishëm për të parë ose për të vërtetuar se sa prej popullsisë nuk di të shkruaj dhe lexuar. Po thuajse në të gjithë botën shkaqet ose arsyet e analfabetizmit janë po thuajse të njëjta. Këtu zakonisht lidhen me faktorët ekonomik, me faktorët social, demografik me nivelin kulturor si dhe me traditën e shkollimit”, u shpreh profesori universitar Asllan Hamiti për RTM.

Hamiti mes tjerash thotë se analfabetizmi më i theksuar është tek komuniteti i demargjinalizuar.

“Në përgjithësi thuajse analfabetizmi është përhapur në të gjitha mjediset. Më i theksuar mendoj se është në ato vende ose te ai komunitet i demargjinalizuar në përgjithësi ose te ato vende ku zhvillimi ekonomik është më i ulët. Në përgjithësi ato njerëz të cilët materialisht nuk janë mirë. Nuk kanë kohë të mendojnë për shkollimin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, por ata duhet të merren me punët e mbijetesës së tyre”, tha Hamiti për RTM.

Migrimi sipas Hamitit mund të jenë një ndër faktorët apo shkaktarët e mos shkollimit të të rinjve tanë, përkatësisht edhe të përhapjes së analfabetizmit.

“Ndoshta me çështjen e analfabetizmit lidhet edhe ajo se një pjesë e madhe ose shoqëria jonë nuk respekton përkatësisht vlera e njeriut të shkolluar, të njeriut të ditur nuk është aq sa duhet të jetë. Përkatësisht njerëzit në përgjithësi po vlerësohen jo sipas diturive të tyre që kanë, jo sipas aftësive të tyre që kanë, por më shumë po vlerësohen sipas statusit ekonomik, përkatësisht sipas gjendjes së tyre ekonomike”, u shpreh Hamiti.

Gjithsej 23.192 banorë të Maqedonisë së Veriut mbi 15 vjeç, nuk kanë arsim të kryer dhe kjo kap shifrën 1.5% të popullatës së përgjithshme.

Megjithatë, po flasim për ato qytetarë që veçmë janë të regjistruar si analfabet që sa janë të dëmshëm aq më shumë janë nevojtarë për orientim drejt rrugës së arsimimit. Por, kategoria më e rrezikshme dhe e dëmshme se këta janë ata qytetarë që nuk janë analfabet por që nuk dallojnë nga analfabetet, dinë shkrim dhe lexim por nuk lexojnë. Kjo tregon se këta janë më të rrezikshëm e më të dëmshëm për vendin e për të ardhmen e vendit, sepse prej tyre pritet kontribut i veçantë por ja që këta nuk janë të përgatitur e as nuk përgatiten për më shumë, thjesht janë të vetëkënaqur vetëm me faktin se dinë shkrim dhe lexim.

Kujtojmë që, kemi raste që përfundojnë edhe shkollën e mesme ndërsa nuk dinë ende shkrim dhe lexim, disa lexojnë me vështirësi e disa nuk munden asesi. Kjo situatë e krijuar vjen si pasojë e menaxhimit me arsimin ku shkollat e mesme janë bërë obligative ku secili qytetarë patjetër duhet të përfundojë shkollën e mesme, kjo krijon siguri te nxënësit që secili që regjistron shkollën e mesme e mbaron pa asnjë problem pasi kështu është e rregulluar në mënyrë legjislative. Pra, mësove apo jo një diplomë do ta marrësh, e sikurse mos të kishte qenë obligative kishte pasur sanksione e rregulla më strikte që të paktën të dinë shkrim dhe lexim.

Në këtë formë rritet numri i analfabetëve të diplomuar që nuk dinë shkrim dhe lexim, e kjo për pasojë pastaj sjellë edhe rezultatet e dobëta në testet ndërkombëtare. Si dhe cilësia në arsim mbetet një utopi e pa arritshme. /Zhurnal.mk

Show More

Related Articles

Back to top button